E Diel, 1 Nëntor 2026

Transporti hekurudhor i mallrave u tkurr me 13,8% në tremujorin II 2026

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Transporti hekurudhor i mallrave ka shënuar rënie gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT).

Sipas statistikave të transportit hekurudhor, volumi i mallrave të transportuara nëpërmjet hekurudhës arriti në 103,7 mijë tonë, duke u ulur me 13,8% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025.

Ndërkohë, volumi i mallrave të transportuara i matur në mijë ton-kilometra rezultoi 3.503 mijë ton-km, nga 4.128 mijë ton-km në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke shënuar një rënie prej 15,1%.

Rrjeti hekurudhor në shfrytëzim në Shqipëri është 253 kilometra dhe përfshin linjat Kufi–Gjorm me gjatësi 93 km, Durrës–Elbasan 76 km, Rrogozhinë–Fier 49 km dhe Fier–Vlorë 35 km.

Sipas klasifikimit të mallrave, pjesën kryesore të transportit hekurudhor në tremujorin e dytë të vitit 2026 e zënë qymyri dhe linjiti, nafta bruto dhe gazi natyror, me 95,3 mijë tonë, ose 91,9% të totalit.

Ndërsa kategoria e lëndëve të para të ricikluara, mbetjeve të ngurta bashkiake dhe mbeturinave të tjera përbën 8,1% të mallrave të transportuara me hekurudhë, me 8,4 mijë tonë.

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›