E Diel, 1 Nëntor 2026

Paaftësi, papërgjegjshmëri apo përzgjedhje e qëllimshme?

03-12-2012 / Eden Babani

Dje, shumë prej të përditshmeve të Kryeqytetit mbanin si titull kryesor ngjarjen e hidhur që ndodhi në rrugën Irfan Tomini, pranë urës së Lanës. Krimi ishte me të vërtetë monstruoz. Dy vëllezër humbën jetën në lulen e rinisë për hiçmosgjë, për një borxh prej disa mijëra eurosh.
Nuk më intereson kronika. As të gërmoj për të prurë hollësi ose për t’i gjetur fundin ngjarjes. Atë e përshkruan dje për fije e për pe gati të gjitha të përditshmet, me ndonjë përjashtim të rrallë, madje me tituj të bujshëm, thua se po shpallnin ndonjë sihariq. Mua, sikurse gjithkujt që dëgjon për krime të tilla, s’ më mbetet veç të shpreh dhimbje njerëzore dhe keqardhje: mjerë ata që shkuan, mjerë familja.
Fjalën e kam gjetkë. E kam te kryetitujt e titujt e bujshëm për të nxjerrë në pah krime ose aksidente vdekjeprurëse që ndodhin thuajse çdo ditë, si në çdo vend të botës. Kujt i duhen ata kryetituj e tituj bombastikë me të cilët hapin faqet e tyre disa të përditshme? Fjala vjen, “Plumba kokës” e hapte faqen e parë njëra me shkronja kapitale që binin në sy prej atje tej. Kështu edhe shumë të tjera, që, po të vazhdoja me titujt e tyre, do të më duhej t’i shmangesha qëllimit të këtij vëzhgimi.
Në rastin më të mirë, bredhja pas së ashtuquajturës “kronikë e zezë” tregon, sipas meje, përpjekje të dëshpëruara të disa të përditshmeve për mbijetesë në tregun mediatik. Nga ana tjetër, kjo dukuri e shtypit tonë flet edhe për paaftësi  profesionale, edhe për papërgjegjshmëri ndaj opinionit publik, pse jo, edhe për përzgjedhje të qëllimshme.
Nuk them se s’duhet pasqyruar në shtyp kjo anë jetës së përditshme. Madje, duke qenë se hë për hë kemi të bëjmë me një plagë të rëndë sociale, e cila duhet shëruar sa më parë, roli i shtypit në kërkim të terapive më efikase është i pazëvendësueshëm. Mirëpo herë-herë, bredhja pas “kronikës së zezë” ngjan të jetë bërë qëllim në vetvete, e nxitur, mbase,  prej do lexuesish  kureshtarë që blejnë gazeta, për të shtyrë kohën, në mungesë të romanit policor. Kam mendimin se kjo prirje sa vjen e po merr përmasa abuzive ndaj opinionit të gjerë publik, i cili është i interesuar edhe për aspekte të tjera të jetës. Do të ishte e dëshirueshme, pra, që “kronika e zezë” të kishte vendin e vet barabar, le të themi, me “kronikën e bardhë”, e cila thuajse nuk shihet kund, me përjashtim të ndonjë lajmi sensacional për ndonjë divorc a për ndonjë dashuri të re të ndonjë artisti ose artisteje. Ku i kemi shpalljet e bujshme të fejesave, të martesave, dasmat, lindjet, urimet, festat e zakonshme familjare etj., me të cilat gazetat tona do të pasuroheshin dukshëm me lajme të gëzueshme, do të merrnin përmasa më humane?
Ka qenë një kohë - përpara se kronikat kësisoj, “të bardha” a “të zeza”, t’i ndalonte censura komuniste - kur ato, domethënë kronikat, kishin vendin e tyre, zakonisht, në faqen e fundit dhe përherë në baraspeshë njëra me tjetrën (“e bardha” me “të zezën”). Lexuesi i atëhershëm e dinte ku ndodheshin, dhe u hidhte një sy, sipas prirjeve dhe interesave të veta.
Sot, kronika e një vrasjeje a e një aksidenti, jo vetëm që zë vendin e lajmit kryesor, por, në përgjithësi, ka zbehur edhe komentet e opinionet për probleme politike, sociale, ekonomike, kulturore etj., të cilat i ka zhvendosur në faqet me numra dyshifrorë. Lexuesi i sotëm, nga ky këndvështrim, ndihet plotësisht i çorientuar.
Vetvetiu, më lind pyetja: Pas disa dekadash, kur shtypi i sotëm do t’u takojë arkivave të bibliotekave, për çfarë do të interesohej më tepër lexuesi i së ardhmes, për kronikën e një vrasjeje a të një aksidenti ndër qindra të tjerë dhe dekada përpara apo për proceset e sotme historiko-politiko-sociale e kulturore? Kam bindjen se, përveç ndonjë studiuesi të kriminalistikës, më rrallë të ndonjë historiani, të ndonjë psikologu ose të ndonjë gazetari me prirje investigimi, lexuesi i zakonshëm i së ardhmes nuk do të humbte kohë të mësonte sesi bashkëshorti vrau bashkëshorten, fqinji fqinjin ose borxhliu borxhliun. Madje s’ka dyshim se zikzaket e proceseve reformuese në rrugën e demokratizimit të vendit, peripecitë plot të papritura drejt integrimit të vendit në familjen europiane etj. etj., pse jo, edhe çështja banale e Fierit me qëllim bllokimi të Parlamentit, do të ishin më me interes për të, më të kërkuara, më të lexueshme e më të komentuarat e kohës. Kësisoj, edhe emri i gazetës do të lartësohej, në vend që të përbuzej si një doracak pa vlerë i kronikave kobndjellëse.
Atëherë, lidhur me bredhjen pas “kronikës së zezë”, çfarë do të pranonim mes tri dukurive alternative, pa përjashtuar edhe të tjera që s’mund të shterohen në një shkrim të shkurtër:  paaftësinë, papërgjegjshmërinë apo përzgjedhjen e qëllimshme?
Personalisht, do t’i pranoja të tria.
Paaftësia, sipas meje, rrjedh nga niveli i ulët profesional i ndonjë drejtuesi gazete (nga paaftësia e gazetarëve dhe e bashkëpunëtorëve, po e po), çka nuk do të ishte ndonjë çudi në këtë shpërthim shtypi që po përjetojmë, të paparë në historinë tonë. Papërgjegjshmëria, gjithnjë sipas meje, vjen nga shterpësia e politikave redaksionale të gazetës që, s’do mend, lidhet deri diku edhe me nivelin profesional, por që merr ngjyrime të papranueshme, pasi nxit huti, duke vënë qerren përpara qeve, domethënë duke i dhënë më shumë vend “kronikës së zezë”, sesa problemeve të tjera, për të cilat është i interesuar opinioni i gjerë. Kam mendimin se, me ca përpjekje më shumë, mund të vihet rend në raportet e rubrikave të ndryshme, duke i dhënë secilës vendin që meriton.
Mbetet për t’u vlerësuar dukuria alternative e përzgjedhjes së qëllimshme. Personalisht, mendoj se kjo ndikohet nga  strategjia e politikave redaksionale të një organi mediatik të caktuar. Në mungesë të censurës, që tashmë ka marrë fund njëherë e përgjithmonë, kjo dukuri merr përmasa të rrezikshme, pasi, falë shtysave politike dhe falë prirjes për të fryrë një ngjarje deri në tejskaj, i vë vendit një njollë të pamerituar. 
Nëse do t’u referohesha dy dukurive të para alternativave, paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë, çka nuk është e thënë që vetë redaksitë përkatëse të mos reflektojnë në të ardhmen, dukuria e tretë alternativa s’ka asnjë shans të rehatohet për pa u ndërruar shumica e sotme qeverisëse, me një tjetër. Mesa duket, disa qarqe politike janë të bindura se evidentimi i krimit – një dukuri e përbotshme – u jep më shumë dorë të vënë gishtin mbi shkaktarët e tij, sipas tyre, mbi shumicën qeverisëse që nuk qenka në gjendje të vendosë rend e qetësi. Mirëpo harrojnë se krimi nuk është një dukuri shqiptare, as e përkohshme. Ai do të vazhdojë të mbijetojë sa të ketë jetë njerëzimi. A do ta pranonte ky krah i rreshtimit politik të gazetave që në të ardhmen të ndërroheshin rolet me ato të krahut tjetër? Nëse kështu, atëherë, kujt do t’i  shërbente politika e evidentimit të krimit në përmasa të tilla dhe me shkronja kapitale, përveç se njollës së pamerituar që na vihet si komb?

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›