E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëveshja me Greqinë ende nuk ka plotfuqinë e kreut të shtetit

Ylli Pata

Negociatat

Panariti: Do të zbatojmë vendimin e Kushtetueses. Rezultatet, shumë shpejt

Ylli Pata

Shefi i diplomacisë shqiptare, Edmond Panariti, ka deklaruar dje se Tirana dhe Athina janë shumë afër një marrëveshje të re për çështjen e kufirit detar, por nuk ka dhënë asnjë detaj sesi do të jetë kjo marrëveshje dhe çfarë ka të re nga pakti i hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese. Marrëveshja detare është justifikuar nga Panariti si një kërkesë e domosdoshme nga çështja e përfshirjes së Shqipërisë dhe Greqisë në rrjetin e gazsjellësit TAP, nga Azerbajxhani në Itali. Në fakt, ministri Panariti ka bërë të ditur se pala shqiptare do të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me marrëveshjen me Greqinë, por nuk ka specifikuar se si do të ndodhë kjo. Pasi një nga pikat e vendimit të Gjykatës Kushtetuese është se ekipi negociator do të duhet që të pajiset me plotfuqi nga Presidenti i Republikës për të nisur negociatat. Por deri më sot, kjo nuk ka ndodhur. As nga Presidenti Bamir Topi, i cili ishte në detyrë deri më 24 korrik, e as nga Presidenti aktual i Republikës, Bujar Nishani. Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, i pyetur dje në një konferencë për shtyp në lidhje me plotfuqinë e Presidentit nuk e ka pohuar një gjë të tillë. Ne jemi në fazën e grupeve teknike, komisioneve të cilat po diskutojnë për të gjitha mënyrat e mundshme se si do të adresohet ky problem. Ndërkaq nga ana e stafit të Presidentit nuk jepet asnjë sqarim apo përgjigje në lidhje me këtë çështje.

Por shefi i diplomacisë shqiptare ka deklaruar se marrëveshja do të adresohet në momentin e duhur, kur si pikë referimi do të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Janë krijuar grupe pune në Ministrinë e Punëve të Jashtme, të cilat po punojnë intensivisht për të dalë me opsionet përkatëse, që do të jenë edhe baza e negocimit të këtij problemi me qeverinë greke. Ndërkaq, grupet e punës mes Tiranës dhe Athinës kanë punuar prej kohësh për të hartuar një draft të ri, megjithëse qarqe nga Greqia kanë insistuar për marrëveshjen e parë. Vetë ministri i Jashtëm grek, Dimitri Avramopulos, deklaroi një muaj më parë në Parlamentin e vendit të tij se do të zbatojë marrëveshjen e arritur për kufijtë detarë me Shqipërinë, pas bllokimit nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese të vendit tonë. Gjatë raportimit të synimeve të tij në Parlamentin grek, Avramopulos tha se Greqia mbështet perspektivën europiane të Shqipërisë, ndërsa mbetet investitori më i madh i huaj dhe partneri më i madh tregtar në vendin tonë. Herën tjetër ne do të zbatojmë marrëveshjen e arritur për delimitimin e zonës detare mes dy vendeve, e cila ka qenë e bllokuar pas vendimit të famshëm të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Pra publikisht kemi dy qëndrime paksa distante nga ana e Tiranës dhe Athinës. Dy ditë më parë, shefi i diplomacisë greke ka folur në telefon me homologun e tij shqiptar, Edmond Panariti, ku e ka ftuar të vizitojë së shpejti Greqinë. Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, duke folur për vizitën e tij në Athinë, theksoi se akoma nuk kemi rëndë dakord për axhendën e bisedimeve tona. Natyrisht që nuk përjashtohet që edhe ky problem të ngrihet, por vizita ime e parë në Greqi është vizitë që bëhet në kuadër të marrëdhënieve bilaterale mes Greqisë dhe Shqipërisë. Është vizita ime e parë në Greqi në kapacitetin e ministrit të Jashtëm, që do ti shërbejë edhe forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira që kemi. Jemi padyshim të hapur për të diskutuar për çfarëdolloj problemi që kemi pa asnjë lloj paragjykimi në mënyrë konstruktive, të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë. Dy vjet më parë, Gjykata Kushtetuese, me vota anonime, ka rrëzuar Marrëveshjen e Ujërave mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke e cilësuar antikushtetuese, pasi nuk është marrë plotfuqia e Presidentit të Republikës si dhe është prekur pjesë e rëndësishme nga territori i vendit, duke shkelur konventat ndërkombëtare në lidhje me të drejtën detare.

Athina - Ministri i Jashtëm i Greqisë, Dimitris Avramopulos, ka deklaruar një muaj më parë se do të zbatohet marrëveshja e 2009-s

Panariti - Janë krijuar grupe pune në Ministrinë e Punëve të Jashtme, të cilat po punojnë intensivisht për të dalë me opsionet përkatëse, që do të jenë edhe baza e negocimit të këtij problemi

Gjykata Kushtetuese – Mospajisja e delegacionit me plotfuqi të rregullt nga Presidenti i Republikës përbën cenim të kompetencave të Presidentit të Republikës, të parashikuara nga neni 92 i Kushtetutës, rrjedhimisht edhe të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve garantuar nga neni 7 i Kushtetutës

Deklarata

Aleanca Kuqezi: Të mos preken kufijtë, ndryshe protesta të mëdha

Aleanca Kuqezi ka reaguar pas deklaratave të ministrit të Jashtëm, Edmond Panariti, për projektin e gazsjellësit TAP, që mund të kërkojë zbatimin e marrëveshjes detare me Greqinë.

Përmes një njoftimi për shtyp, Aleanca Kuqezi ka deklaruar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen e ujërave me Greqinë flet qartë. Pakti detar me Greqinë është antikushtetues dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk negociohet. Panariti dhe Avramopulos të mos guxojnë të prekin kufijtë e Shqipërisë, ka deklaruar AKZ. Grupimi politik i drejtuar nga Kreshnik Spahiu ka paralajmëruar se nëse kjo ndodh, qeveritë e dy vendeve do të përballen me protesta masive të shqiptarëve. Nuk shitet kufiri për projekte gazsjellëse e naftësjellëse. Vazhdon tradhtia kombëtare, thuhet më tej në reagimin për shtyp të lëvizjes patriotike. Sipas tij, Greqia është mësuar të marrë peng fqinjët me haraçe dhe Kryeministri Berisha nuk i ka shpëtuar dot këtij fenomeni. Turp kombëtar që në 100-vjetorin e Pavarësisë po rinegociohet marrëveshja me Greqinë, thuhet ndër të tjera në deklaratën për shtyp.

Marrëveshja me Greqinë ende nuk ka plotfuqinë e kreut të shtetit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›