Marrëveshja me Greqinë, grupi i PS-së letër Nishanit

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste përmes një letre drejtuar presidentit të republikës Bujar Nishani kanë kërkuar transparencë në lidhje me marrëveshjen e ujërave me Greqinë. Në letrën e tyre, deputetët socialistë kërkojnë reagimin e kreut të shtetit në mënyrën më energjike, ndaj çdo cënimi të të drejtave e dinjitetit të qytetarëve shqiptarë, çka fatkeqësisht sipas tyre deri më sot, nuk ka ndodhur nga autoritetet e vendit tonë.
"Është thuajse e sigurt se këto incidente të përsëritura, nuk përbëjnë klimën e duhur për të zhvilluar negociata për marrëveshjen e detit duke garantuar publikun se do jetë një proces tërësisht transparent, i drejtë dhe i barabartë, larg hijes së nënshtrimit, që do të përmbushë plotësisht e pa asnjë ekuivok detyrimin absolut për të garantuar përtej çdo dyshimi tërësinë territoriale dhe sovranitetin kombëtar të Republikës së Shqipërisë” thuhet në letër.
Në letrën e tyre, deputetët socialist theksojnë se një marrëveshje ndërmjet nesh dhe vendit fqinj për të zgjidhur përfundimisht çështjen e kufirit detar është e nevojshme brenda kushteve për të negociuar dhe përmbushur detyrimet e ndërsjellta në kushte të barabarta, reciproke dhe në përmbushje të parimeve të fqinjësisë së mirë.
“Gjithsa theksuam më sipër, përbën një detyrim më shumë për Ju dhe autoritetet e vendit për të ushtruar gjithë pushtetin tuaj me qëllim imponimin e plotë të standardeve të transparencës dhe ekspertizës në çdo hap të negocimit, nënshkrimit, hyrjes në fuqi dhe zbatimit të kësaj marrëveshje. Çdo tentativë për të arritur një marrëveshje me dyer të mbyllura e mbi të njëjtat parime si ato që hodhi poshtë unanimisht vendimi i Gjykatës Kushtetuese, do të ishte një shkelje e rëndë, për më tepër e përsëritur, e autoriteteve të shtetit shqiptar në kurriz të interesave kombëtare dhe sovranitetit territorial të vendit. Përsëritja e të njëjtit skenar, doju bëjë edhe Ju njëherazi bashkëfajtor me të gjihtë ata, Kryeministrin e Kryetarin e Partisë Suaj në rradhë të parë, që do guxojnë të përsërisin nënshkrimin e një marrëveshje që cënon sovrantetin territorial të Shqipërisë në çdo centimetër katror të saj” thuhet më tej në letër.
Grupi i PS-së thekson më tej se Partia Socialiste mbështet fuqimisht çdo përpjekje për të forcuar bashkëpunimin dhe partneritetin me Greqinë, një vend me të cilin na lidh jo vetëm historia por edhe marrëdhëniet e shumëanshme politike, ekonomike e njerëzore. “Ne jemi të bindur se forcimi i marrëdhënieve me Greqinë duke gjetur një zgjidhje të pranueshme e të qëndrueshme për çështjet ende të pazgjidhura mes vendeve tona, është jo vetëm një domosdoshmëri për prosperitetin dhe zhvillimin e rajonit tonë, por edhe dëshira më e sinqertë e dy popujve tanë miq. Por në pikëpamjen tonë, rruga e vetme për të arritur në këto zgjidhje kalon mes respektit reciprok e të ndërsjelltë, të drejtë e të barabartë, larg frymës së varësisë, në përmbushje të plotë të detyrimit për transparencë ndaj publikut e qytetarëve dhe domosdoshmërisë për qëndrime të qarta të cilat bazohen në aspiratën tonë e të fqinjëve tanë për të respektuar detyrimet ndërkombëtare dhe të fqinjësisë së mire” shkruhet në letër.
vijon...