E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Marrëveshja për emigrantët, Rama: 100% nën vëzhgimin dhe përgjegjësinë italiane

TIRANË, 7 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama i pyetur sot gjatë një konference për shtyp në Madrid në lidhje me ecurinë e marrëveshjes për emigrantët me Italinë, u shpreh se bëhet fjalë për një operacion që është 100% nën vëzhgimin dhe përgjegjësinë italiane.

Duke folur për mediet, para nënshkrimit të marrëveshjes për organizimin e “World Law Congress Albania 2027”, Kongresit Botëror të Ligjit në vitin 2027, që do të mbahet në Tiranë e do të sjellë rreth tre mijë juristë nga gjykatat supreme dhe sistemet gjyqësore të shumë vendeve të botës, Rama u pyet për refuzimin për herë të tretë të zhvendosjes së emigrantëve nga Italia në Shqipëri.

“Nuk kam asnjë mendim për këtë dhe pyetja duhet t’i drejtohet simotrës sime italiane, pra simotrës së Italisë, Georgia Meloni sepse për ne, të qenit pjesë e kësaj marrëveshjeje është shumë e thjeshtë, është një rol shumë i thjeshtë. Na u kërkua nga Italia të ndihmojmë dhe kur Italia kërkon, ne ndihmojmë gjithmonë sepse marrëdhënia jonë është mijëvjeçare”, tha Rama.

Kreu i qeverisë sqaroi edhe ndihmën e ofruar nga Italia në rastin e tërmetit që goditi Shqipërinë në vitin 2019.

“Ne i detyrohemi shumë Italisë, sidomos për atë çfarë Italia ka bërë pas rënies së komunizmit e që na ka ndihmuar shumë në momente tejet dramatike. Së fundmi, por jo nga rëndësia, kur patëm tërmetin shkatërrues, trupat italiane të emergjencave civile erdhën dhe rrezikuan jetët e tyre për të shpëtuar njerëzit nga rrënojat, kështu që ata na e kërkuan këtë dhe e ndihmuam, siç mendoj çdo vend europian, çdo komb europian duhet të ndihmojë tjetrin apo duhet të ndihmojë njëri-tjetrin”, theksoi ai.

Duke u ndalur më në detaje te marrëveshja me Italinë Rama tha se është një operacion që është 100% nën vëzhgimin dhe përgjegjësinë italiane.

“Dy qendrat kanë tipare extra-territoriale ndaj siguria, lëvizja, trajtimi, aspekti ligjor gjithçka është italiane. Kështu që, do duhet të pyesni palën italiane, jo ne”, përfundoi Rama. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›