Marrëveshja për gazsjellësin, drejtori i TAP: Hap i madh për projektin

Drejtori i gazsjellësit TransAdriatik ka përshëndetur memorandumin e nëshkruar mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë lidhur me këtë projekt. Në një deklaratë pas nëshkrimit të marrëveshjes, Kjetil Tungland ka falenderuar të tre shtetet nëshkruese të projektit, ndërsa ka vlerësuar se ky hap ishte një demostrim i mbështetjes politike nga ana e tyre lidhur me TAP.
"Ne do të donim të falënderojmë qeveritë italiane, greke dhe shqiptare për këtë demonstrim shumë të qartë të mbështetjes politike për TAP. Ky është një tjetër hap i madh përpara për projektin. Nënshkrimi i sotëm pason një numër të madh arritjesh që TAP ka realizuar këtë vit. Ne jemi duke punuar për përparimin e mëtejshëm të projektit në muajt e ardhshëm"tha ai.
Më herët, Shqipëria, Italia dhe Greqia nënshkruan në Nju Jork një marrëveshje për ndërtimin e një gazsjellësi, i cili nëse miratohet nga një konsorcium investitorësh, do të lidhë tre vendet, duke sjellë gazin nga fushat Azerbajxhanit për në Perëndim.
Marrëveshja për gazsjellësin Trans Adriatik ose TAP, u nënshkrua nga ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Panariti dhe homologët e tij, ministri i Jashtëm italian, Giulio Terzi dhe ai grek, Dimitris Avramopulos.
Në ceremoninë e nënshkrimit që u zhvillua në misionin e Italisë pranë Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ministrat e jashtëm e quajtën projektin mjaft të rëndësishëm për ekonomitë e vendeve të tyre.
Gazsjellësi Trans Adriatik është njëri ndër disa projektet konkurruese për sjelljen e gazit nga fusha Shah Deniz e Azerbajxhanit drejt Evropës, gjë që synon të ulë varësinë nga furnizuesit e tanishëm, duke përfshirë Rusinë. Me nënshkrimin e memorandumit tre vendet i japin mbështetje të plotë politike projektit dhe kjo shton mundësitë që ai të dalë fitues.
Projekti tjetër është Nabucco West, i cili parashikon kalimin e gazit nga Turqia me destinacion përfundimtar Austrinë.