E Diel, 1 Nëntor 2026

Noka prezanton Ndoken ne postin e zv/ministrit te Brendshem

Kryetari i Partisë Demokristiane Nard Ndoka ka marrë detyrën e zëvendësministrit të Brendshëm. Kreu i këtij dikasteri, ministri Flamur Noka, ka prezantuar numrin dy të Ministrisë me stafin dhe i ka uruar zotit Ndoka urime për detyrën e re.
Marrja e postit të zëvendësministrit të Brendshëm nga kreu demokristian, konfirmon aleancën politike mes PDK-së dhe Partisë Demokratike në pushtet.
Përfshirja në koalicionin qeverisës të PDK-së, vjen pas rreth tre vitesh që kjo forcë politike kaloi në opozitë, përkrah Partisë Socialiste. Kryedemokristiani Ndoka, pak ditë më parë, është shprehur se u largua nga koalicioni “Opozita e Bashkuar”, pasi lidershipi socialist nuk respektoi marrëveshjen politike me PDK-në. Sipas Ndokës, lidershipi socialist ka treguar se gjatë aksioneve të saj politike ka qenë tërësisht e çorientuar dhe pa një bosht politik.
Afrimi i Partisë Demokristiane me koalicionit qeverisës, pas kapërcimit të disa momenteve konfliktuale, për kryedomokristianin Ndoka, është i natyrshëm, pasi PDK dhe PD janë parti të qendrës së djathtë. Por, numri një i demokristianëve është shprehur se baza e fortë për bashkëpunimin mbetet përgjegjshmëria, që PD-ja tregon ndaj aleatëve të saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›