Marrëveshja, pikë doganore për Kosovën në Durrës
Shumë shpejt, Shqipëria do të hapë një pikë të posaçme doganore në Durrës, që do t’i shërbejë Kosovës. Marrëveshja u arrit dje, gjatë një takimi që ministri i Financave, Ridvan Bode, pati me zv.kryeministren e Kosovës, Mimoza Kusari –Lila. Sipas praktikës aktuale, po kryhet mjaft kontrabandë në kurriz të buxhetit të Shqipërisë dhe të Kosovës, për mallrat që kalojnë tranzit nga Shqipëria, nëpërmjet Portit të Durrësit për në Kosovë. Për shkak se, me këtë status duket se, kalojnë edhe shumë artikuj shqiptar, për të shmangur kështu pagesat në dogana. Problem në këtë drejtim ka shënuar tregtimi i naftës. Në fakt takimi ndërmjet Kusarit dhe Bodes është zhvilluar për të sheshuar disa probleme që ka në tregtinë ndërmjet vendeve, për disa lloje mallrash. Tematikat e diskutimit lidheshin me intensifikimin e marrëdhënieve në çështjet doganore, midis të dy vendeve me synimin e uljes së barrierave doganore. Ministri i Financave theksoi se në stadin aktual të zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike e tregtare, një mundësi e mirë intensifikimi të tyre është krijimi i hapësirave të përbashkëta doganore, duke nisur së pari me krijimin e grupeve të përbashkëta pune midis Ministrisë së Financave të Shqipërisë dhe të Kosovës për studimin e opinioneve të unifikimit të tregut. Një çështje e diskutueshme ishte përdorimi i çmimeve të referencës në tregtinë midis të dy vendeve për produktet me origjinë shqiptare dhe kosovare. Të dy palët ndanë mendimin e aplikimit të vlerës së transaksionit në doganat respektive, për produktet origjinuese nga të dy vendet. Një çështje tjetër e rëndësishme, në kuadër të intensifikimit dhe shkëmbimit të informacionit doganor midis dy vendeve, ishte propozimi i zv.kryeministres, znj. Mimoza Kusari –Lila. Gjatë viteve të fundit ka pasur disa konflikte të vogla për tregtimin e disa produkteve ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Rasti i fundit kishte të bënte me rritjen e tarifës doganore për pataten e ardhur nga Kosova, duke e bërë kështu të pamundur tregtimin e saj në vendin tonë. Me këtë masë për të mbrojtur prodhimin vendas, çmimi i një kilogram patate në tregun vendas theu rekordet, duke arritur deri në 140 lekë të reja për kilogram. Ndaj kësaj mase ka reaguar zyrtarisht Oda Ekonomike e Kosovës, ndërkohë që me dijeninë e Kryeministrit Berisha, një grup i përbashkët pune është ngritur për të zgjidhur këto problematika. Më herët, Qeveria e Shqipërisë i ka lënë Kosovës përdorimin me koncension Portin e Shëngjinit, nga i cili mund të ankorohen anijet me mallra që kanë destinacion Kosovën.