E Diel, 1 Nëntor 2026

Tregtia konfirmon krizën, shitjet bien me 6 %

SHKRUAN: Blerina Hoxha 24-06-2011 11:19

Tregtia me pakicë në vendin tonë, sërish këtë vit ka pësuar rënie, duke konfirmuar kështu rënien e konsumit në ekonomi, duke diktuar në këtë mënyrë, parashikimet për një frenim të rritjes ekonomike në nivelet e parashikuara 5 %. Sipas Institutit të Statistikave (INSTAT), indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë në tremujorin e parë 2011, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, është ulur me 5.9 për qind, ndërsa krahasuar me tremujorin paraardhës është ulur 12.3 për qind. Në grupin “Artikuj të përzier kryesisht jo ushqime, në njësi tregtare jo të specializuara” indeksi i volumit të shitjeve është ulur 9.1 për qind në këtë tremujor, krahasuar me tremujorin paraardhës. Në grupin “Tregtia dhe riparimi i automjeteve”, indeksi i volumit të shitjeve është ulur 1.8 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, ndërsa krahasuar me tremujorin paraardhës ky indeks është ulur 0.6 për qind. Brenda grupit “Tregtia, mirëmbajtja dhe riparimi i automjeteve dhe motoçikletave në grupin “Tregtia me pakicë e karburanteve”, indeksi i volumit të shitjeve për tremujorin e parë 2011 është rritur 12.8 për qind, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraardhës. Krahasuar me tremujorin paraardhës, indeksi i volumit të shitjeve në grupin “Tregtia me pakicë e karburanteve” është ulur 5.1 për qind. Ndërsa indeksi i punësimit në “Tregtinë me pakicë” në tremujorin e parë të këtij viti arriti 165.0 për qind, kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar, ky indeks është ulur 1.7 për qind. Në grupin “Tregtia dhe riparimi i automjeteve”, indeksi i punësimit në tremujorin e parë të këtij viti arriti 191.2 për qind kundrejt vitit bazë (2005=100) me rënie 1.3 për qind, kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Kjo situatë në tregtinë me pakicë, në fakt është lajmëruar më parë nga Banka e Shqipërisë. Sipas saj, të dhënat e ekonomisë reale sugjerojnë një rritje të ngadaltë të konsumit, në vijim të pasigurive mbi situatën e ardhshme të punësimit. Nga ana tjetër, ecuria më pozitive e kredisë për bizneset dhe rritja e importeve të mallrave kapitalë sugjeron se investimet kanë qenë më pozitive, duke forcuar premisat për një rritje ekonomike më të qëndrueshme në të ardhmen. Tendenca e shqiptarëve për të rritur kursimet dhe për të ulur konsumin është thelluar edhe gjatë këtij viti, çka, sipas Bankës së Shqipërisë, tregon se individët besojnë se mirëqenia e tyre po përkeqësohet. Sipas një vlerësimi të Bankës së Shqipërisë, ngadalësimi i rritjes së burimeve të të ardhurave, shoqëruar me rritjen e normës së papunësisë dhe uljen e kreditimit për individët nga sektori bankar, është reflektuar në rritjen e prirjes për të kursyer, duke ulur prirjen për të konsumuar. Kostoja e jetesës vlerësohet të jetë rritur në tremujorin e parë të vitit 2011, krahasuar me një vit më parë. Ndërsa çmimet pritet të rriten, por të ulen disi pas një viti. Për të analizuar ecurinë e mirëqenies të ekonomive familjare, Banka e Shqipërisë vlerëson treguesit e punësimit dhe të të ardhurave. Vijimësia e investimeve të bizneseve nga ana tjetër kërkon reagimin e kërkesës konsumatore, për të cilën Banka e Shqipërisë gjykon se ka hapësira rritjeje.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›