Marrëveshja presidenciale, LDK: Bojkotojmë Kuvendin nëse s`zbatohet

LDK-ja nuk i përjashton veprimet radikale në qoftë se marrëveshja për Presidenten nuk do të respektohet. Veprimet e LDK-së do të varen nga qëndrimi i Presidentes, i Kryeministrit e faktorit ndërkombëtar, nëse do të respektohet apo jo marrëveshja. Insistuese është dhe AKR-ja, partneri tjetër i marrëveshjes politike.
Do t`i humbë kuptimi marrëveshjeve në të ardhmen, nëse shkelet me dy këmbë mbi këtë marrëveshje, thotë AKR-ja.Partia më e madhe opozitare kërcënon me hapa më radikalë nëse marrëveshja politike për zgjedhjet e reja presidenciale nuk respektohet.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, po i pret qëndrimet e Presidentes, Kryeministrit e faktorit ndërkombëtar nëse do ta respektojnë apo jo marrëveshjen.
Përndryshe, LDK-ja nuk e përjashton as bojkotimin e punimeve në Kuvend në muajin shtator, ka thënë Mustafa.
Edhe partneri tjetër i marrëveshjes, AKR-ja, insiston në respektimin e marrëveshjes politike, megjithëse kjo situatë nuk po ndikon aspak në marrëdhëniet ndërmjet dy partive në pushtet.
Nënkryetari i kësaj partie, Ibrahim Makolli, ka thënë se nëse nuk respektohet marrëveshja, atëherë do të jetë një tregues i keq për marrëveshjet e tjera të mundshme në politikë në rast nevoje.
Kohë më parë, një letër nga zyra e Presidentes i ka shkuar Gjykatës Kushtetuese, ku i ka kërkuar kësaj të fundit të interpretojë nenet që kanë të bëjnë me zgjedhjen e presidentit të ri 6 muaj pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese.
Interpretimi i Kushtetueses ishte pro qëndrimit deri në fund të mandatit të Presidentes, duke i konsideruar nenet antikushtetuese.
Ky vendim i Gjykatës ka irrituar faktorin politik kosovar, sidomos partitë të cilat ishin pjesë e marrëveshjes. LDK-ja tashmë hapur i ka kërkuar Presidentes që ta lërë postin dhe të shkojë në shtëpi.