Marrëveshja, sotpesë anije turke në territorin shqiptar
TIRANE-Në ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë do të hyjnë sot 5 luftanije turke, me një ekuipazh të përbashkët prej 1125 forcash ushtarake. Tri nga këto anije, respektivisht “TCC AKAR A 580”, “TCG KEMALREIS F 247” dhe “TCG GIRESUN F 491”, do të ankorohen në portin e Durrësit. Ndërsa anijet “TCG GAZIANTEPE F 490” dhe “TCG TURGUTRESI F 241” do të ankorohen, përkatësisht në portin e Vlorës dhe në bazën detare të Pashalimanit. Kuvendi miratoi në seancën plenare të datës 24 maj projektligjin për dhënien e lejes për qëndrimin e tyre të përkohshëm (22-25 qershor) në territorin shqiptar. Arsyet e qëndrimit 3-ditor në ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë të pesë prej luftanijeve më moderne të ushtrisë turke mbeten misterioze. Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami në seancën plenare të datës 24 maj pretendoi se “arsyeja e kësaj vizite është realizimi i manovrave të përbashkëta stërvitore me forcat detare shqiptare”. Ndërkohë, në relacionin që shoqëronte projektligjin, thuhej se “qëllimi i këtyre vizitave portuale është rritja e bashkëpunimit ndërmjet flotave detare të të dyja vendeve në kuadër të bashkëpunimit ushtarak Shqipëri-Turqi, për vitin 2010”. Por, një qëndrim diametralisht të kundërt nga ai i ministrit të Mbrojtjes ka dhënë zyrtarisht për “Gazeta Shqiptare” Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, që e ka mohuar pretendimin se qëllimi i kësaj vizite është zhvillimi i një stërvitjeje të përbashkët ushtarake. Ndërkohë, vendimi i parlamentit për të lejuar qëndrimin e përkohshëm në ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë të 5 prej luftanijeve më moderne të ushtrisë turke, ka vënë në lëvizje sistemin e sigurisë kombëtare të Greqisë.
(d.b/GSH/BalkanWeb)
(d.b/GSH/BalkanWeb)