Marreveshje bashkepunimi mes biznesit dhe doganave

Nënshkruhet memorandumi mes dhomave të tregtisë dhe drejtorisë së doganave. Me këtë marrëveshje finalizohet një projekt i rëndësishëm i cili e anëtarëson Shqipërinë në rrjetin ndërkombëtar të ATA CARNET.
Përmes siglimit të kësaj marrëveshje përmbushet një vakum i mbetur në kuadër të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të BE.
ATA CARNET është një dokument ndërkombëtar doganor i unifikuar i lëshuar në 71 vende.
ATA CARNET lejon pranimin e përkohshëm të mallrave të vendeve anëtare duke evituar detyrimet dhe procedurat doganore.
Për ministrin e Financave Ridvan Bode është një ngjarje e rëndësishme për tregtinë dhe biznesin në Shqipëri për të krijuar një klimë sa më të favorshme duke dhënë avantazhe shtesë në këtë kohë krize botërore.
Një nga prioritetet në aktivitetin e doganave në vend është lufta ndaj trafiqeve të paligjshme si dhe lufta ndaj korrupsionit.
Projekte të tjera të rëndësishme në këtë kuadër po ndërmerren nga drejtoria e përgjithshme e doganave, kryesisht në zhvillimin e teknologjisë së informacionit si dhe monitorimit me kamera në të gjitha doganat në vend. Sipas drejtorit Gjymishka një rëndësi të veçantë merr edhe mbrojtja e markës dhe patentës.