Marrëveshje ndërkombëtare për kufizimin e konkurrencës së pandershme
“Bizneset në treg kryejnë marrëveshje të fshehta mes njëri-tjetrit për të rritur fitimet e tyre në kurriz të konsumatorëve”. Ky ka qenë konkluzioni i dhënë dje nga kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Lindita Milo, gjatë një takimi me përfaqësuesit e autoriteteve të rajonit, mbajtur në qytetin e Durrësit. Edhe pse nuk ka dhënë asnjë rast konkret, kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës u shpreh se ekonomia po përballet me një treg të deformuar. “Kjo është arsyeja kryesore pse konsumatori shqiptar penalizohet vetëm me rritje çmimi dhe rrallë ndodh që ato të ulen si pasojë e një konkurrence të ndershme në treg”, - deklaroi dje kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Lindita Milo. Autoriteti i Konkurrencës është institucioni që ka për qëllim të luftojë monopolin dhe kartelet në treg, por rezultatet e saj janë të papërfillshme. Vendimet e marra deri sot kanë mbetur në hallkat e sistemit gjyqësor pa dhënë asnjë efekt në treg për konsumatorët.
Në këtë seminar merrnin pjesë edhe ekspertë të njohur ndërkombëtarë nga vendet e OECD-së. Autoriteti i Konkurrencës vepron për të siguruar një konkurrencë të lirë dhe efektive në treg, duke u mbështetur në tri shtylla kryesore që sigurojnë mbrojtjen e konkurrencës: a) abuzimi me pozitën dominuese; b) marrëveshjet e ndaluara në formën e karteleve; c) bashkimet ose përqendrimet e ndërmarrjeve.
Banka e Detit të Zi, kredi Shqipërisë për energjinë dhe infrastrukturën
Kredi për projekte në fushën e energjisë, infrastrukturës dhe për ndërmarrjet e vogla janë disa nga fushat ku Shqipëria mund të përfitojë ndihmë nga Banka e Tregtisë dhe Zhvillimit të Detit të Zi. Ky është një institucion financiar ndërkombëtar i krijuar 10 vjet më parë, ku vendi ynë është anëtar. Lajmin e bëri të ditur presidenti i Bankës, Hyrettin Kaplan, në një konferencë për shtyp, e cila do të pasohet nga një forum me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve financiare nga vendet anëtare. Misioni i këtij institucioni ndërkombëtar është mbështetës për zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin rajonal nëpërmjet dhënies së kredive, letrave të kreditit dhe garancive bankare për projekte financiare në sektorin privat dhe publik të vendeve anëtare. Gjatë vitit të kaluar, Banka dha një kredi prej 20 milionë eurosh për kompaninë e çelikut “Kurum” që ushtron aktivitetin në Elbasan dhe 25 milionë euro për zhvillimin e Albtelekomit, operatori kryesor i telekomunikacionit në vendin tonë. “Arritjet e bankës në këto 10 vjet përbëjnë një bazë solide për ecurinë e mëtejshme të këtij institucioni, por kjo nuk duhet të kthehet në një burim vetëkënaqësie”, - vijoi Kaplan. Ai tregoi se prioritet i Bankës për periudhën 2009-2010 nuk do të jetë rritja e portofolit, por mbajtja e një portofoli kualitativ, mbikëqyrja e veprimeve bankare dhe zhvillimi i bashkëpunimit mes vendeve të rajonit.
16 Qershor 2009