E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këngëtarët mbushin mitingjet elektorale të politikanëve

Berisha dhe Rama me imazh të ri spektakolar

Eljona Ballhysa
Duke qenë të vetëdijshëm se politika i ka mërzitur njerëzit, politikanët shqiptarë kanë gjetur një mënyrë origjinale për të mbushur sheshet e qyteteve të vendit. Në çdo takim elektoral ata marrin me vete këngëtarët më të njohur të skenës shqiptare, duke e kthyer mitingun në një aktivitet festiv dhe argëtues në këto ditë në nxehta vere. Mungesa e aktiviteteve kulturore në rrethe të ndryshme të vendit rrit rëndësinë e pjesëmarrjes së këngëtarëve në të tilla takime elektorale. Kjo është një mënyrë për të tërhequr vëmendjen e banorëve, jo vetëm të qytetit ku zhvillohet takimi, por edhe të qyteteve dhe komunave përreth, të cilat nuk mund të humbasin rastin për të parë nga afër yjet e skenës shqiptare dhe vajzat e bukura, si Soni Malajn, Çiljetën apo Elvana Gjatën. Pjesëmarrja e këngëtarëve në takimet elektorale përveçse i bën më interesante këto mitingje, rrit pjesëmarrjen e grave dhe vajzave shqiptare.
Takimet
Këngët “Shqipëria po ndryshon” dhe “Çohu” janë kthyer në kolonën zanore të kësaj fushate zgjedhore dhe këtij muaji të nxehtë vere, ndërsa këngëtarët janë kthyer në imazhin spektakolar të fushatës. Edhe vetë dy liderët kryesorë të politikës e kanë kuptuar rëndësinë që kanë këngëtarët dhe dinë t’i vlerësojnë jo vetëm financiarisht pjesëmarrjen e tyre, por po shfrytëzojnë në maksimum dhe imazhin e tyre. Si Berisha, ashtu dhe Rama, po mundohen të zhvishen sa më shumë nga petku i politikanit duke i bërë sa më informale takimet elektorale, duke u shfaqur afër këngëtarëve, duke kënduar dhe lëvizur me ta, sigurisht duke marrë dhe mbështetjen e fansave të këngëtarëve. Ndërsa këngëtarët, nga ana e tyre, ndihen më fatlumë se kurrë për shkak të rritjes së aktiviteteve “kulturore” për ta. Pjesëmarrja në një miting është një aktivitet i kënaqshëm përsa u përket përfitimeve financiare, pasi pagesa sipas burimeve varion nga 500-1500 euro për një aktivitet. Gjithsesi, më të përfituarit mbeten politikanët. Këta të fundit, nëpërmjet këngëtarëve, arrijnë të mbushin më shumë se kurrë sheshet e qyteteve shqiptare.
Pjesëmarrja
Kryeministri Berisha, gjatë kësaj fushate, duket se ka lidhur kontratë të veçantë me grupin muzikor nga Kosova, “Elita 5”. Ky është një nga grupet më të pëlqyera shqiptare dhe prania e tyre është vënë re pothuajse në të gjitha takimet e kryeministrit Berisha, veçanërisht në Tiranë e Elbasan. Madje në mitingun e Elbasanit, kandidati i PD-së, Lulzim Basha, këndoi bashkë me “Elita 5” në skenën e mitingut. Grupi “Elita 5” ka kompozuar dhe kënduar kolonën zanorë të fushatës së PD-së, “Shqipëria po ndryshon”. Bashkë me djemtë e “Elita 5” në mitingjet e PD-së nuk mungojnë këngëtaret e njohura shqiptare; Soni Malaj, Çiljeta e Elvana Gjata. Ndërsa PS-ja ka vendosur t’i qëndrojë besnike grupit “West Side Family”, të cilët kompozuan dhe kënduan me kreun e PS-së këngën e dytë, që është bërë lajtmotivi i fushatës rozë, “Çohu”. Edi Rama korri sukses me këngën “Tirona” gjatë zgjedhjeve lokale të disa viteve më parë, ndoshta për këtë fakt i qëndron besnik grupit “West Side Family”.

16 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›