E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëveshje në tension

Kosova dhe Serbia arritën të enjten marrëveshje për vulat doganore dhe regjistrat kadastralë. Bashkimi Europian njoftoi se si rezultat i marrëveshjeve të arritura do të hiqet embargoja tregtare mes dy vendeve. Takimi i gjashtë në Bruksel u zhvillua nën hijen e ngjarjeve të fundit në veri. Edita Tahiri dhe Borko Stefanovic mezi ia zgjatën dorën njëri-tjetrit. Nga Shpend Limoni më 03 shtator 2011 në ora 08:46

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë kanë arritur marrëveshje për vulat doganore dhe kadastrën të premten në Bruksel, pas një takimi që ka zgjatur deri në orët e mbrëmjes.
Ndryshe nga e kaluara kur negociatorët i ishin drejtuar njëri-tjetrit me mirësjellje, në raundin e gjashtë ata janë shfaqur me fytyra të ngrysura.

Tahiri dhe Stefanovic kanë shtrënguar duart dhe kanë pozuar para kamerave në prani të ndërmjetësit të BE’së, Robet Cooper dhe të dërguarit amerikan në bisedime, diplomatit Philip Reeker.

Ngjarjet e fundit në veri kanë ndikuar edhe në raportet mes dy shefave të delegacioneve, të cilët janë parë duke komunikuar ftohtë edhe në tryezën e bisedimeve.

Bashkimi Europian përmes një deklarate për media ka njoftuar se takimi mes Prishtinës dhe Beogradit ka rezultuar me marrëveshje, por aty nuk thuhet se kur pritet të fillojë zbatimi i marrëveshjes.

“Marrëveshjet që janë arritur kanë të bëjnë me vulat doganore dhe të dhënat kadastrale.

Në fushën e qarkullimit të lirë të mallrave, palët janë pajtuar që vulat doganore me shenjën “Dogana e Kosovës” do të pranohen. Kjo marrëveshje do t’i konfirmohet të gjitha palëve të CEFTA’s. Si rezultat, embargoja reciproke tregtare do të hiqet”, thuhet në njoftim.

Në komunikatën e BE’së vlerësohet se kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të marrëdhënieve në rajon dhe për sigurimin e qarkullimit të lirë të mallrave në harmoni me vlerat europiane.

BE ka njoftuar edhe për marrëveshjen rreth kadastrës.

“ Sa i përket të dhënave kadastrale, palët janë pajtuar që të themelojnë një kadastër plotësisht të besueshëm në mënyrë që të mbrohen të drejtat e njerëzve me kërkesa legjitime të pronës”.

Po ashtu njoftohet se dy delegacionet kanë vazhduar diskutimet në lidhje me telekomunikacionin, energjinë dhe diplomat universitare, derisa theksohet se shkurtimisht është diskutuar edhe rreth pjesëmarrjes së Kosovës në forumet rajonale.

BE ka njoftuar se takimi i radhës do të mbahet gjatë muajit shtator.

Marrëveshja për vulat doganore pritet t’i hapë rrugë sërish qarkullimin të mallrave mes dy vendeve, të cilat janë ndërprerë për shkak të vendimit të autoriteteve kosovare për të intervenuar në pjesën veriore.

Vendimi ishte marrë për shkak të refuzimit të palës serbe për të pranuar vulat doganore të Kosovës me mbishkrimin “Doganat e Kosovës”, të cilat janë në fuqi që prej shpalljes së pavarësisë.

Ky refuzim kishte bërë që ndërmjetësi Robert Cooper në muajin korrik të shtyjë bisedimet për në shtator.

Në shenjë hakmarrjeje për vendimin e Prishtinës, ekstremistët serbë kishin djegur dy pikat doganore në pjesën veriore të vendit, derisa një polic i Kosovës me këtë rast ishte qëlluar për vdekje.

Serbia ndërkaq kishte vendosur embargo ndaj mallrave kosovare menjëherë pas shpalljes së pavarësisë.

Negociatori serb Borko Stefanovic vazhdimisht ka thënë se Serbia po i refuzon vulat me simbole të shtetësisë së Kosovës, edhe pse ato nuk kanë pasur shenja të tilla.

Edita Tahiri në një prononcim për mediat kosovare ka deklaruar se takimi ka përfunduar me “rezultate të mira”.

“U arrit marrëveshja për njohjen reciproke të vulave të doganave midis dy shteteve të pavarura dhe praktikisht Serbia me këtë rast Serbia njohu vulat e Doganave të Republikës së Kosovës, të cilat janë në përdorim në shtetin tonë . Dhe unë mund të them se midis dy shteteve ka një njohje reciproke në planin e tregtisë së lirë dhe të doganave”, ka thënë Tahiri.

“Kjo gjithsesi hap një perspektivë të rëndësishme në çështjen e tregtisë së lirë , të lëvizjes së mallrave, që është parim fondamental i BE’së”, ka shtuar ajo.

Kryengeociatorja kosovare ka thënë se me këtë rast “u hoq embargoja trevjeçare që Serbia ia kishte imponuar Kosovës në fushën e tregtisë së lirë”.

Tahiri ka thënë se zbatimi i marrëveshjeve pritet të fillojë menjëherë pa dhënë ndonjë afat të saktë.

“Zbatimi do të fillojë menjëherë, në momentin kur Republika e Kosovës të përgatitë planin operativ sipas parimeve të CEFTA’s”.

Tahiri po ashtu e ka lajm të mirë e ka quajtur edhe marrëveshjen për kthimin e dokumentacionit kadastral, që është marrë nga Kosova në kohën e luftës nga Serbia.
Por, ajo nuk ka shpjeguar nëse do të kthehen dokumentacioni i kopjuar siç janë dakorduar palët më herët apo origjinali.

Pas përfundimit të takimit në Bruksel, Tahiri ka folur edhe për bashkëbiseduesin e saj, negociatorin serb Borko Stefanovic, të cilin e ka quajtur njeri që krijon probleme.
“Deri në korrik e kam parë si një njeri të dialogut, por tani ai sillet si njeri që krijon probleme”, ka thënë negociatorja kosovare.

Stefanovic, duke konfirmuar marrëveshjet, ndërkaq ka theksuar se vula doganore e Kosovës nuk ka asnjë shenjë shtetërore.

Ai ka thënë se palët janë dakorduar që embargoja tregtare të hiqet brenda një afati 7 apo 8 ditësh.

Edhe Stefanovic ka konfirmuar tensionet që kanë zënë vend në takim.

“Pas një dite të gjatë dhe të vështirë, me një atmosferë negative dhe me shumë akuza për shkak të situatës në veri, megjithatë kemi arritur që të arrijmë marrëveshje”, ka thënë ai.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›