E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëveshje pa kufi

 

Tiranë-Prishtinë

Bibliotekat në Shqipëri e Kosovë tani janë më afër. Dje, në Prishtinë një manifestimet më të rëndësishme kulturore, që organizohet çdo vit në Kosovë, "Java e Bibliotekave" u nënshkrua Akti i ri i Marrëveshjes së Bashkëpunimit të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë me Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës. Marrëveshja u nënshkrua nga drejtuesit Aurel Plasari dhe Sali Bashota. Marrëveshja parashikon bashkëpunim në fushën e shkencës së komunikimit, bibliotekonomisë, shkëmbimeve në fushën e botimeve bibliografike dhe profesionale, shkëmbime të veprave të botuara në Shqipëri e Kosovë, projekte, veprimtari përkujtimore të përbashkëta etj. Palët do të bashkëpunojnë edhe në fushën e formimit dhe të kualifikimit profesional, të komunikimit, të informacionit dhe të teknologjive të reja përmes takimesh ekspertësh, seminaresh, vizitash profesionale etj. Marrëveshja e hyrë në fuqi prej ditës së djeshme nuk ka kufizime kohore dhe mund të plotësohet dhe shtjellohet më tej në mirëkuptim dypalësh. Në nenet e marrëveshjes palët do të bashkëndihmojnë në grumbullimin, ruajtjen, mirëmbajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kombëtare të shkruar dhe shtypshkruar. Do të bashkëpunojnë në fushën e shkencës së bibliotekonomisë dhe komunikimit, në fushën e kërkimeve të ndërsjella në Albanologji, Balkanologji etj., si dhe përgatitjes së botimeve dhe veprimtarive të përbashkëta me synim krijimin e katalogut përmbledhës duke kërkuar bashkëpunimin edhe të bibliotekave me koleksione albanologjike në Ballkan, Europë dhe botë.

Po dje u promovua vepra më e fundit e Çabejt: "Leksionet e mbajtura në Prishtinë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›