Zgjedhjet e Mirës
"Mira", një nga projektet fitues në Qendrën Kombëtare Kinematografike, në kategorinë e filmave të shkurtër, prodhim i Shtëpisë Kinematografike "Maku", po xhiron në Tiranë. Interpretojnë Rozana Radi, Neritan Liçaj, etj
Është e re, e bukur, por nuk i ka mundësitë e moshatareve të saj. Jeta i rezervoi një shaka të hidhur dhe ajo duhet të zgjedhë. Është mërzitur duke i parë veshjet e bukura vetëm nga përtej xhamave të dyqaneve. Mira është një vajzë tek të 30-at që regjisori dhe skenaristi Dhimitër Ismajlaj e ka nxjerrë nga realiteti shqiptar. Nuk është një histori e vërtetë, por si ajo ka shumë. Dhe Ismajlaj kërkon shkaqet. "Mira", një nga projektet fitues në Qendrën Kombëtare Kinematografike, në kategorinë e filmave të shkurtër, prodhim i Shtëpisë Kinematografike "Maku", po xhiron në Tiranë. Pa aparatura të shumta e të rënda, stafi i vogël në numër u vendos dje pas Akademisë së Arteve, krah disa dyqaneve "firmato". Kanë izoluar zonën dhe kanë vënë një bandë të zezë, për t'u prerë pamjen kureshtarëve, që mblidhen rrotull për të parë se çfarë ndodh. Aq më tepër kur shohin një femër si Rozana Radi, kureshtja është edhe më e madhe. Regjisori Ismajlaj, u shpjegon vendosjen aktorëve dhe gjendjen psikologjike, që ndodhen në atë moment. "Aktron" bashkë me aktorët, pastaj sheh në kamera… Në atë zonë të kryeqytetit ka zhurmë dhe nuk është e lehtë të përqendrohesh. Por duhet shfrytëzuar koha pa shi. Një ditë më parë rrodhi qielli e shtyu xhirimet për një ditë më vonë. Ngjarja e filmit zhvillohet në kohët tona. Një vajzë rreth të 30-ave që është martuar në moshë të re. Atëherë e dashuruar. Por bashkëshortit të saj i ndodh një fatkeqësi. Humbet këmbët në një aksident. Asaj i duhet t'i bëjë ballë jetës. Por nuk është thjeshtë. "Kemi të bëjmë njëkohësisht edhe me një zgjim seksual, por jo në aspektin banal, por si një hakmarrje ndaj meshkujve për gjithë vitet e humbura. Por dhe me një ngacmim material, nën trysninë e shoqërisë. Është e re e bukur sheh se si jetojnë vajzat e së njëjtës moshë dhe subkoshienca e saj është duke u zgjuar, duke parë disa gjëra ndryshe. Është në një dilemë morale për veprimet që duhet të ndërmarrë. Ky është zbulimi që ajo do të bëjë gjatë udhëtimit 20 minutësh të filmit", - thotë Dhimitër Ismajlaj, i larguar nga Tirana prej 17 vjetësh. I shkëputur për një kohë të gjatë nga Shqipëria dhe i shkrirë me një tjetër realitet siç është ai amerikan, Ismajlaj gjeti në kthim, përballë vetes shumë "përse"."Rrugës më lindën sa ide të tjera, ca nëntekste për të treguar se kush e shkakton këtë situatë, pse femra është e detyruar të bëjë edhe prostitutën. Çfarë roli ka gruaja në familjen shqiptare? Dhe jam munduar që femrat të dalin në një këndvështrim sa më shpirtëror, sa më pozitiv, pasi pa të nuk ka familje të fortë e pa familje nuk ka shoqëri të fortë", - thotë regjisori. Dhe këtë mundohet ta thotë në mënyrë sa më të drejtpërdrejtë, pë të pasur më shumë efekt. Është i mendimit që realitetit nuk duhet t'i fshihesh, duhet të përballesh me të, në të kundërt kthehet në një gangrenë që të gërryen e nuk ka shërim. Teksa tregon për laboratorin e tij krijues, për konceptin e filmit, aktorja Rozana Radi, që luan rolin kryesor, atë të Mirës, hyn e del në dhomën e "provës" në dyqanin, para së cilit zhvillohen xhirimet. Provon veshjet e skenës. Ka veshur një pallto të zezë dhe ka vënë paruke të verdha. Regjisori e pranon se ishte një përzgjedhje e vështirë. Ngjarja duket e thjeshtë, por sipas tij aktori duhet ta analizojë thellë personazhin e tij, sepse më shumë se veprimet e jashtme është e rëndësishme paraqitja psikologjike. Dhe vendosi për Rozanën. Nuk ishin të paktë ata që u treguan skeptikë për këtë zgjedhje, por regjisori është i bindur në intuitën e tij dhe është i kënaqur sepse punët po shkojnë mirë. I parashikueshëm në rolin e tutorit është aktori Neritan Liçaj. Një rol që e ka vizatuar si askush tjetër tek "Berberi i Seviljes". Të tjerë emra që luajnë në film janë Kliti Roshi, Esmeralda Metka, Alert Çeloaliaj në rolin e nëpunësit të Bankës, Ilir Gjini në rolin e Turit, një mik i familjes. Ka preferuar një staf të rinjsh, pasi jo vetëm i afrohen koncepteve të tij, por edhe për një lloj solitariteti. "Duhet të ndihmojmë njëri-jetrin, pasi janë këto klanet e vogla që sundojnë dhe të rinjtë kanë shumë pak hapësira për të vepruar".
"Mira" do të vazhdojë edhe pak kohë të "endet" me xhirime në ambiente të ndryshme të Tiranës, ndërsa mësohet se të tjera skena janë xhiruar në Durrës. Regjisori shpreson që deri në qershor të ketë mbyllur pjesën më të madhe të punës, por premiera mendohet të jetë në Tirana International Film Festival, Ku Ismajlaj ka marrë edhe një çmim. Për të ky është filmi i 5-të i shkurtër, ndërkohë që në Amerikë ka bashkëpunuar në realizimin e disa filmave me metrazh të gjatë e të shkurtër si kameraman.