E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marselino, zhigolo i BBA

Janë 16 banorë që fshehin 13 sekrete në këtë edicion ndryshe të “Big Brother 6”. Një lojë televizive që nisi të shtunën e kaluar si një show me mistere, intriga dhe një fitues, i cili do të shpallet pas 100 ditësh në “Top Channel”.

Sezoni i 6-të i “Big Brother Albania” mes shumë suprizave dhe spektaklit, konsiderohet një reality i mbushur me “Agjentë 007”, për faktin se çdo banor ka një sekret dhe lufta nuk bëhet vetëm për ta mbrojtur atë, por edhe për të zbuluar sekretin e konkurrentëve të tjerë. Gjithë intriga e lojës është ndërtuar mbi sekretet më interesante të lojtarëve që janë: një vegjetarian që s’dihet se sa kohë nuk do kuptohet se është i tillë dhe dikush tjetër për të fituar para, ka punuar zhigolo.

Ndërkohë që të gjithë janë kuriozë për zbulimin e sekreteve të tyre, "Panorama" duket se ka zbuluar në ndër të fshehtat e shumëpërfolura:

Marselino, 25- vjeçari që vjen nga Bari, fsheh sekretin: “Kam punuar zhigolo”.

Marselino e ka origjinën nga Berati, por prej vitesh jeton familjarisht në Bari. Kohët e fundit ka punuar si sigurim, por ai nuk ka një profesion të tijin të mirëfilltë, pasi e konsideron veten një “gjithçkabërës”, duke qenë se nuk lodhet e nuk mërzitet nga asnjë lloj pune fizike. Prej një viti është bërë baba i një djali, dhe gjatë bisedave me banorët shprehet se familja është pjesa që e bën të ndjehet më krenar për veten. “Big Brother-in” e sheh si mundësi që të rikthehet në Shqipëri dhe ta ndërtojë jetën me familjen e tij të re këtu.

Me hyrjen në BB, u asocua emri i Marselinit me sekretin e personit “zhigolo” brenda shtëpisë së vëzhguar. Nga burimet e "Panorama" është zbuluar se pas këtij sekreti që ka qenë më intriguesi në BB, fshihet pikërisht Marselino, i komentuar si një model në tentativë. Ai ka qenë një konkurrent në “Mister Albania” disa vite më parë, ku nuk ka mundur të marrë ndonjë çmim, edhe pse qëllimi i tij ishte ta fitonte. Po ashtu ka marrë pjesë si imazh te klipi i Ingrid Gjonit “Përse me mua”, dhe me kalimin e viteve ka shtuar pak kile në peshë.

I pari që deklaroi këtë fakt ishte modeli Valer Kolnikaj, i cili pohoi se e njihte personalisht Marselinin, dhe që ishte në dijeni të ofrimit të seksit me para nga Marselino. Këtë fakt e kanë pohuar dhe burime të tjera për gazetën dhe që janë në dijeni të së shkuarës së tij në Itali.

Në bisedat brenda shtëpisë, Marselino deri tani ka marrë rolin e protagonistit, duke rrëfyer dhe detaje nga jeta e tij. Ai ka pohuar se jeton me prindërit dhe vëllanë 9 vjet më të vogël se vetja në Itali.

Pyetjes së banorëve të tjerë se përse nuk ka arritur ta marrë bashkëshorten dhe djalin atje, Marselini i përgjigjet se ka bërë një martesë me një italiane, por vetëm për efekt dokumentesh, në moshën 18-vjeçare. Ai tregon se procedurat e divorcit atje janë shumë të gjata dhe kjo gjë e ka penguar që të bëjë martesën me vajzën që do dhe që ka edhe një fëmijë. /Indeksonline/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›