“Zgjedhja e presidentit nuk zëvendëson reformat e integrimit”
Deklaron Presidenti i Parlamentit Europian, Martin Shulz
Presidenti i Parlamentit Europian, Martin Shulz në një deklaratë të përbashkët për mediat me ministrin e jashtëm shqiptar Edmond Haxhinasto nga Bruksel, duke analizuar situatën politike në Shqipëri theksoi se presidenti i vendit duhet të jetë i pranueshëm për popullin, dhe më pas nga bota jashtë, pasi ai ka një rol të rëndësishëm jo vetëm për përfaqësimin e vendit, por edhe për sistemin e drejtësisë në Shqipëri. “Zgjedhja e presidentit duhet të jetë e pranueshme nga populli. Kur ajo është e pranueshme nga populli, atëherë është edhe nga bota e jashtme. Pra zgjedhja e presidentit në një moment kur në vend ka jo pak probleme, është e nevojshme dhe ne shpresojmë që vendi do të gjejë një president, duke ditur gjithashtu influencën e madhe që ai ka në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Pra zgjedhjet luajnë një rol madhor për kredibilitetin e rolit të presidentit brenda vendit dhe përmes tij, luan gjithashtu rol në kredibilitetin e përfaqësimit të jashtëm të vendit”, deklaroi presidenti i PE-së.
Sipas tij zgjedhja e kreut të shtetit është një pikë e rëndësishme, por nuk zëvendëson reformat e integrimit. “Procesi i reformave është i domosdoshëm lidhur me përafrimin e vendit me Bashkimin Europian. Zgjedhja e presidentit është një element në jetën e një vendi, por nuk mund të zëvendësojë hapa të tjerë të domosdoshëm që janë në vijim. Nga ana tjetër, vendi pa president ka probleme. Shpresoj që së shpejti do shohim një president të denjë në Shqipëri”, vijoi më tej Shultz, i cili konfirmoi edhe njëherë mbështetjen e bashkimit Evropian për integrimin e Shqipërisë.
Nga ana e tij Ministri Haxhinasto, duke i shprehur mirënjohjen presidentit të Parlamentit Evropian për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit, theksoi se e kaq njohur këtë të fundit me situatën më të fundit në vend dhe ecurinë e reformave të integrimit.
“Diskutuam zhvillimet e fundit në Shqipëri, Shulz u shpreh inkurajues për të përfunduar reformën elektorale dhe zgjedhjen e presidentit”, deklaroi Haxhinasto, i cili shtoi se u ra dakord që bashkimi Evropian të vazhdojë të mbështesë rajonin e Ballkanit.