E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shqipëria progres në reforma, presidenti të zgjidhet me konsensus”

06-06-2012 / Gazeta 55

Raporti i monitoruesve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës

“Një element i rëndësishëm që mund të normalizonte marrëdhëniet politike midis palëve‬ është zgjedhja e një presidenti që do pranohej nga të gjitha forcat politike”

Këshilli i Europës kërkon nga palët politike në Shqipëri të arrijnë një marrëveshje konsensuale për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Në raportin gjashtë faqësh, që monitoruesit e Këshillit të Europës kanë publikuar dje, lidhur me klimën politike në Shqipëri dhe ecurinë e reformave më të rëndësishme në vend, theksohet se zgjedhjet presidenciale të mos bëhen burim të tensionimit të situatës politike në Shqipëri.
Dy bashkë-raportuesit e Këshillit të Europës, Tomas Jirsa dhe Grigore Petrenco pas monitorimit në datat 2-4 prill të këtij viti për situatën politike në Shqipëri kanë hartuar një raport duke ia përcjellë atë Këshillit të Europës. Në këtë raport specifikohet se situata politike ka pësuar ndryshime në muajt e fundit dhe kërkohet më tepër bashkëpunim mes partive politike për marrjen e statusit të vendit kandidat.
Raporti i monitoruesve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës vë re se po zhvillohet “një qëndrim më konstruktiv” nga ana e partive politike në Shqipëri.
“Forcat politike shqiptare po orientohen drejt një qëndrimi më konstruktiv, pavarësisht se klima politike vazhdon të jetë e tendosur dhe situata konfliktuale”, thuhet në raportin e Tomas Jirsa dhe Grigore Petrenco të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Sipas tyre, ky qëndrim konstruktiv dhe frymë e re bashkëpunimi shpjegohet me faktin, se forcat politike kanë shprehur dëshirën që Shqipëria të marrë statusin e kandidatit.‬
“Një element i rëndësishëm që mund të normalizonte marrëdhëniet politike midis palëve‬ është zgjedhja e një presidenti që do pranohet nga të gjitha forcat politike”, thuhet në raportin e KiE. 
Sipas raportuesve, zgjedhja e presidentit bëhet veçanërisht e rëndësishme këto kohë, për dy arsye: Së pari kjo zgjedhje nuk duhet të lejojë sërish kalimin në një krizë politike midis mazhorancës dhe opozitës siç ka ndodhur në zgjedhjet e shkuara të përgjithshme dhe lokale dhe së dyti, presidenti duhet të zgjidhet me mbështetjen e të gjitha palëve, në mënyrë që të luajë rolin e mediatorit sipas kushtetutës së Shqipërisë.
Në raportin e dy raportuesve të Asamblesë Parlamentare, vlerësohet se Komisioni i reformës elektorale ka kryer pjesën më të madhe të punimeve mbi bazë konsensuale. Pjesët më të ndjeshme në planin politik mbetet përbërja e KQZ-së dhe sistemi i korrigjimit të rezultateve proporcionale në nivelin lokal të reflektohet në nivelin kombëtar.
Në raportin e Këshillit të Europës, thuhet se pavarësisht se Komisioni i Venecias kishte këshilluar një përbërje të KQZ-së me anëtarë neutralë, dy partitë më të mëdha politike kanë zgjedhur opsionin e përbërjes së KQZ-së me përfaqësuesit e tyre politikë. Këshilli i Europës rithekson, se numërimi elektronik mund të bëhet vetëm në një numër të vogël qendrash votimi dhe jo në të gjithë vendin.
Lidhur me reformën parlamentare, në raport vihen në pah dy pikat për të cilat nuk është gjetur ende zgjidhje nga të dyja palët, por nuk jepet vlerësim mbi to.
Raportuesit përgëzojnë ndryshimin e Kushtetutës lidhur me kufizimin e mandateve të zyrtarëve të lartë, që sipas Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës kishte vonuar së tepërmi.
Raporti i KiE u publikua nga dy bashkë-raportuesit e APKE të cilët vizituan Shqipërinë gjatë misionit të tyre në datat 2 dhe 3 prill të këtij viti.
Reporterët deklarojnë se do ta vizitojnë sërish Shqipërinë në vjeshtën e këtij viti, pas përfundimit të zgjedhjes së Presidentit të ri

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›