E Diel, 1 Nëntor 2026

Banka Botërore: Shqipëria do të vazhdojë rritjen ekonomike edhe në vitet e ardhshme

06-06-2012 / Gazeta 55

Publikohet raporti për zhvillimet ekonomike në gjashtë vendet e Europës Juglindore

Banka Botërore (BB) parashikon një rritje ekonomike për Shqipërinë mbi nivelet e mesatares së rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kështu citoi dje Banka Botërore në raportin e dyte për zhvillimet ekonomike në gjashtë vendet e Europës Juglindore (ku përfshihet, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia), që u prezantua në Tiranë.
Sipas raportit të dytë për zhvillimet ekonomike në Evropën Juglindore, ekspertët parashikojnë një rritje ekonomike për Shqipërinë në nivelin e 1.6 për qind, duke e renditur në vendin e tretë, pas Kosovës dhe Maqedonisë.
“Parashikimet për rritjen ekonomike në Shqipëri parashikohet të jetë në nivelin 1.6 për qind”, deklaroi dje përfaqësuesi i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, përmes një video konference nga Shkupi.
Një gjë e tillë konstatohet dhe nga ekonomistë pranë qendrës së Bankës Botërore në Shqipëri.
Sipas Erion Lucit, përfaqësuesit të Bankës Botërore në Shqipëri, perspektivat për të ardhmen në vendin tonë, paraqiten pozitive. Luci tha se për vitin 2013, rritja ekonomike në Shqipëri parashikohet në masën 2.5 për qind.
Në këto parashikime, tre vendet e tjera, Bosnje Hercegovinë, Mali i Zi dhe Serbia do të kenë një rritje prej 0.5 për qind, për vitin 2012. Parashikimet e Bankës Botërore janë më optimiste dhe tejkalojnë parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili llogarit për Shqipërinë një rritje nën nivelin e 1 për qindëshit.
Sipas ekonomistit të lartë për Ballkanin Perëndimor, Zeljko Bogetic, kushtet e dobëta ekonomike në Eurozonë po ushtrojnë  presion në frenimin e rritjes ekonomike për të gjashtë vendet e Evropës Juglindore.
Banka Botërore evidenton se zhvillimet ne eurozonë kanë lëkundur ekonomitë e gjashtë vendeve në Evropën Juglindore (SEE 6), por menaxhimi i kujdesshëm i financave publike dhe borxhit publik mbetet perspektiva më e mirë afatgjatë për rritjen e tyre. Në sfidat kryesore që Banka Botërore sugjeron që qeveria shqiptare të ndërmarrë për të përballuar sfidat aktuale është ulja e nivelit të borxhit publik, i cili është afër kufirit ligjor, prej 60 për qind si dhe realizimi i reformave fiskale.
“Rekomandimi ynë për Shqipërinë është që të reduktojë borxhin publik, nën nivelin 60 për qind, duhet të kontrollohet deficiti buxhetor i cili është 3 për qind, dhe për vitin 2013-2014 duhet të jetë më i ulët. Qeveria duhet të ketë më shumë opsione mbi kontrollin e shpenzimeve dhe të të ardhurave. Ajo duhet të ulë shpenzimet në këtë periudhë dhe të rrisë mirëadministrimin e të ardhurave, me qëllim rritjen e tyre”, tha Përfaqësuesja BB në Tiranë, Kseniya Lvovsky.
Në periudhën afatshkurtër, thuhet në raport, disa vende duhet të ndërmarrin një konsolidim fiskal të qëndrueshëm për të ndryshuar dinamikën negative të borxhit dhe për të vendosur bazat për një rritje dinamike afatgjatë.
Sipas raportit rezulton se Shqipëria ka borxhin e jashtëm më të ulët në rajon dhe kjo ndikohet kryesisht nga kontributi që japin depozitat e larta në sistemin bankar.
“Kanalet me të cilat fondet alokohen, jo si Shqipëria që është goxha e vogël me pjesën tjetër të botës, janë të shumta. Nuk diskutohet që të ketë një problem serioz në aspektin bankar e më tej. Megjithatë, në aspektin e ngadalësimit të rritjes, implikimet mund të jenë edhe më negative sesa kriza aktuale”, u shpreh Erjon Luci, ekonomist pranë Bankës Botërore në Shqipëri.
Ndër të tjera, Banka Botërore vlerëson se sektori financiar në Shqipëri, por edhe vendet e tjera të lartpërmendura, mbetet në një situatë relativisht të mirë, por me rreziqe të shtuara, e kjo, veçanërisht për shkak të rrezikut të përhapjes më gjerë të krizës greke, duke theksuar se, “nuk është e tepruar për autoritetet, që të vazhdojnë t’u kërkojnë bankave që të rrisin rezervat e tyre për ta bërë sektorin më rezistent”.
Duke përfunduar me faktin se me pritshmëri më të ulëta të rritjes ekonomike shumë në krahasim me atë të përpara krizës dhe presioneve të larta sociale, Banka Botërore rekomandon se qeveritë e vendeve të SEE 6 duhet të adoptojnë një axhendë reformash strukturore më ambicioze dhe urgjente për rritje ekonomike dhe punësim.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›