E Diel, 1 Nëntor 2026

Martinez-Topallit: Shqipëria ka miq që e mbështesin në BE

TIRANE- “Ju siguroj se Shqipëria ka shumë miq, që ju kuptojnë, ju duan dhe ju respektojnë, sepse ju njohin dhe ju mbështesin në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”. Ky ishte mesazhi që zv.Presidenti i Parlamentit Evropian, z.Miguel Angel Martinez Martinez i përcolli Kryetares së Kuvendit, znj. Jozefina Topalli gjatë një takimi të zhvilluar me të.

Kryetarja e Kuvendit falënderoi Zv.Presidentin e PE për mbështetjen ndaj Shqipërisë dhe e informoi atë mbi hapat e fundit të ndërmarra nga klasa politike shqiptare në funksion të procesit të integrimit, ndërmarrjes së reformave dhe punës për ligjet që kërkojnë 3/5 e votave.

“Dy vitet e fundit kanë qenë një periudhë e vështirë, në dy vite opozita bojkotoi Parlamentin dhe stopoi procesin e integrimit, por tani ajo situatë është tejkaluar, deputetët socialistë janë rikthyer në Parlament, në Komisionet Parlamentare, është krijuar një proces bashkëpunimi për reformat e integrimit. Të gjitha forcat politike duhet të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të kenë një objektiv të përbashkët: Integrimin e Shqipërisë në BE!” tha Kryetarja e Kuvendit.

Nga ana e tij, zoti Martinez i cilësoi hapat fundit të ndërmarra, si sinjale pozitive që i shërbejnë rrugës së integrimit.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›