Marubi shpreson për bashkëpunim me autoritetet
Kanë kaluar 35 ditë që nga shpallja e konfliktit ndërmjet Akademisë Marubi dhe qeverisë shqiptare për hapësirën publike që shfrytëzohej si oborr nga shkolla private e filmit. I është kufizuar ndërkaq edhe një aneks tokë në hyrje të saj.
Çështja e ambienteve ka mbetur pezull, edhe për shkak të vëmendjes që tërhoqi shkarkimi i Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango i përfshirë automatikisht meqë ambientet për të cilat bëhet fjalë, një sipërfaqe mbi 2000 m2 janë në administrim të AlbaFilm Studios, strukturë në varësi të MTRKS.
Pas një heshtjeje të gjatë, rektori i Akademisë së Filmit dhe Multimedias Marubi, Kujtim Çashku, ka shtrirë sërish dorën për bashkëpunim. Ai u ka bërë kërkesë për takim autoriteteve shtetërore, kreut të qeverisë, Sali Berisha, ministrit të ri të Kulturës Ardian Turku dhe ka vënë në dijeni për këtë kërkesë për bisedime, edhe Avokatin e Popullit Ermir Dobjani.
"Të drejtat dhe kompetencat tona të ligjshme, janë prekur padrejtësisht gjatë kryerjes së procedurave administrative përkatëse",- shkruan regjisori Kujtim Çashku në letrën të cilën e ka bërë publike edhe për mediat.
"Duke iu referuar parimit të bashkëpunimit të administratës me subjektet e pavarura e private, ju kujtojmë se keni detyrim ligjor që të na siguroni të gjitha sqarimet dhe mbrojtjen e nevojshme duke stimuluar nismat tona, duke mirëpritur sakaq dhe sugjerimet dhe informacionet përkatëse. Jemi në pritje të konfirmimit tuaj zyrtar për takimin e kërkuar.
Duke shpresuar në një mirëkuptim të drejtë dhe të shpejtë",- përfundon kërkesa e rektorit Çashku.
Një tjetër media prestigjioze ndërkombëtare, revista amerikane për kinemanë "Variety", në një artikull të 26 marsit i ka bërë jehonë këtij problemi duke shprehur solidaritet në këtë nëntitull:
"Lufta e Akademisë së Filmit Marubi gjen mbështetjen e Hollyëood-it". Pavarësisht pasaktësive të autorit Nick Holdsëorth-i ( e vetmja shkollë filmi e Shqipërisë, thotë ai), artikulli thotë se problemi ka ndikuar në qarkullimin normal të stafit dhe të studentëve në ambientet e shkollës.
"Variety" shkruan se "beteja e Akademisë për të mbajtur ndërtesën dhe lulishten ka bërë që një peticion i paraqitur në internet të nënshkruhet nga mijëra mbështetës përfshirë regjisorë të shquar si Gus Van Sant, Nick Broomfield, Jon Jost, Richard Linklater, Abel Ferrara, Chris Hegedus, D.A. Pennebaker dhe Albert Maysles."
Duke cituar regjisorin shqiptar Kujtim Çashku, autori informon se "tensionimi i fundit, që ndodhi të mërkurën kur zyrtarë të Albafilmit dhe kontraktorë të një shoqërie private sigurimi u përpoqën të ngrinin një gardh të dytë përreth hyrjes së akademisë, i cili u hoq nga studentët, tregon se qeveria ende nuk është gati të heqë dorë nga pretendimi i saj mbi këto ambiente."
Regjisori i kinemasë indipendente amerikane, John Jost, që deri diku e njeh të kaluarën historike të Shqipërisë nën diktaturë, është shprehur për "Variety":
"Historia e Shqipërisë ende me dhimbje, nuk e ka kapërcyer atë çka ka përjetuar nën regjimin e ish-diktatorit komunist Enver Hoxha, kështu që sulmet me dorë të rëndë që ka pësuar Akademia "Marubi" përbëjnë një shqetësim të veçantë, duke treguar kështu një prirje që ekziston ende në shtet për të shtypur çdo gjë që mund të sfidojë kontrollet që ky i fundit zotëron.