Tenton vetëvarjen në burg Shpëtim Ziza
Gardiani i natës shpëton Zizën, nga vdekja pasi dëgjoi zhurmën e kërcitjes së shtratit të tij në momentin e lëshimit
Vrasësi i fëmijs në Dibër, lidhi çarçafin e tij në hekurat e dritares së dhomës dje në orën 04:00, në tenativë për t'u vetëvarur
TIRANË- Shpëtim Ziza, i arrestuar për vrasjen e Bekim Çengës në Dibër, ka tentuar dje në mëngjes vetëvrasjen në burgun e Fushë- Krujës në sektorin e sigurisë së lartë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit të ditës së djeshme, kur në sektorin e sigurisë së lartë në burg është kërkuar me urgjencë mjeku roje, për t'i dhënë ndihmën e parë 19- vjeçarit të dënuar me burgim të përjetshëm Shpëtim Ziza.
Ai kishte tentuar të vetëvarej me çarçafin e krevatit të dhomës së tij. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare pranë institucionit të burgut dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, që shtuan se falë ndërhyjres së policit roje të brendshëm, Shpëtim Ziza ka mundur të shpëtojë vetëm me një të nxirë në qafë nga çarçafi.
"Rreth orës 4:00 mëngjesit, shoku i tij i qelisë po flinte, ndërsa Ziza pa zhurmë ka lidhur çarçafin e krevatit për hekurat e dritares dhe në qafën e tij në një distancë të shkurtër, dhe ka lëshuar trupin e lirë anash krevatit.
Por, lëshimi i trupit ka bërë që krevati të bëjë zhurmë. Këtë e ka dëgjuar polici roje, i cili menjëherë ka ndërhyrë duke i shpëtuar jetën 19- vjeçarit të dëshpëruar nga vendimi ekstrem ndaj tij dhe dhe krimi i kryer",- thanë burimet.
Menjëherë ka ndërhyrë edhe mjeku roje, që i ka dhënë ndihmën e parë adoleshentit nga Peshkopia, duke e marrë në mbikëqyrje pasi ka kaluar në gjendje të rëndë depresive. "Gjendja shëndetësore e të dënuarit Shpëtim Ziza tashmë është normalizuar dhe ndodhet nën mjekim intensiv pasi ka kaluar në një gjendje jo të mirë shpirtërore.
Për këtë tentativë vetëvrasjeje është lajmëruar edhe familja e të dënuarit Ziza, të cilët kanë marrë kontakt të menjëhershëm me të birin",- thanë burimet pranë burgut të Fushë-Krujës.
Duket se një veprim i tillë është marrë prej Zizës, pasi pak ditë më parë Gjykata e Apelit në kryeqytet la në fuqi vendimin e Gjykatës së Dibrës, për dënimin me "burgim të përjetshëm"të tij. Sipas gjykatës ai përdhunoi dhe më pas e mbyti 10- vjeçarin Bekim Çenga.
Vetë i dënuari Ziza në seancën e fundit u shpreh se nuk ishte ai vrasësi i djalit por një person tjetër, ky pretendim nuk u mor parasysh nga gjykata duke pranuar kërkesën e Prokurorisë për pranimin e vendimit të Shkallës së Parë, ku i pandehuri është dënuar me "burg të përjetshëm".
Sipas vendimit të gjykatës, i pandehuri Ziza kishte mashtruar 10- vjeçarin Çanga duke e ftuar të shkonte me të për të luajtur me datë 23 tetor 2007 dhe që nga ajo ditë fëmija nuk ishte kthyer në shtëpi.
I mituri është gjetur pas pesë ditësh nga familja me shenja dhune dhe mjekët kanë konkluduar pas autopsisë dhunimin e tij. Pas marrjes në pyetje të Zizës, ai pranoi krimin dhe ka shpjeguar me detaje mënyrën e dhunimit të fëmijës, duke treguar edhe vendin ku e kishte fshehur trupin e 10- vjeçarit.
"Pas gjetjes së trupit janë evidentuar shenjat e dhunës në qafë dhe një lak prej fijesh ngjyrë bezhë, pak metër larg vendit ku u gjet fëmija, të cilat janë përdorur nga i pandehuri për mbytjen e fëmijës",-thuhet në vendim.
Sipas tyre, fëmija, mbante veshur të njëjtat rroba, me të cilat prindërit e kanë përshkruar, kur ai ishte larguar për herë të fundit nga shtëpia e gjyshit. Me gjetjen e trupit të 10- vjeçarit i është bërë edhe ekspertiza mjeko-ligjore, ku është konkluduar se fëmija ishte mbytur me litar në fyt.