E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Marubi", thirrje autoriteteve për lirimin e lulishtes

Pjesa e mbetur e lulishtes përballë Akademisë së Filmit dhe të Multimedias "Marubi", është rrethuar me një gardh prej teli, që, në mos e bllokon, e ngushton ndjeshëm hyrjen për në godinën e shkollës.


Dje, gjatë një deklarate përballë medieve, rektori Kujtim Çashku tha se "Ditën e shtunë, administrata e "Top-Channel"-it me punëtorët e saj, mbështetur në një vendim të qeverisë Berisha, që nuk përkon aspak me realitetin në Akademinë Marubi, si dhe një firme të z. Edi Rama rrethuan në mënyrë të dhunshme dhe nisën të dëmtojnë parkun e gjelbër dhe investimet e bëra prej 5 vjetëve në Akademinë Marubi".


Duke e cilësuar si përpjekjen e radhës, në vazhdën e katër muajve shantazh dhe diskriminimi ndaj shkollës, Çashku u kërkoi autoriteteve të heqin gardhin rrethues.


"Nuk mundet që në situatën më vendimmarrëse të një shoqërie, siç janë zgjedhjet, përpara syve të zgjedhësve të dëmtohet kaq dhunshëm një institucion universitar", - tha Çashku.


"Duhet të lumturohemi të gjithë për rrugën Durrës-Kalimash, por duhet të kuptojmë njëherë e mirë se rrugët e mendjes dhe shpirtit, sikurse është dhe Akademia Marubi, janë po kaq kapitale për të ardhmen tonë".

Një grua dhe një intelektuale rrëfen tek "Sagë strategësh" një kohë të artë dhe një kohë kur diktatura korrte njeriun

Rrëfimi i Mynever Zaimit: Një ndër ato kavie jam unë
Elbasan - Është prezantuar dje në Universitetin "Aleksandër Xhuvani" të Elbasanit, libri "Sagë strategësh" i publicistes, poetes dhe intelektuales vendase, Mynever Zaimi.

Të pranishmit e kanë quajtur "Sagën..." një mozaik letrar, ku autobiografia ndërthuret me historinë, etnokulturën, legjendën.


Kjo ndërthurje e lëndës historike me atë jetësore është konceptuar në kapituj "Krenari e përligjur", "Shqiptari", "Abdurraman Abdi Pasha", "Shqipëria tri shekuj përpara", ku tregohet gjendja e zonës zë Elbasanit prej fundit te shek XIX deri në vitin 1908.


Kronologjikisht, Zaimi rrëfen lindjen e saj më 1925-ën, formimin në Normalen e Elbasanit, leximet e autorëve modernë, Kafka, Dostojevski, Prust dhe kalvarin e vuajtjeve nën regjimin e Enver Hoxhës.


Për poetin Milianov Kallupi, "Sagë Srategësh" i 85-vjeçares, Mynever Zaimi, është një mozaik historik letrar i harmonishëm.


"Ashtu siç ndërtohet një mozaik i vërtetë duke i qëmtuar me kujdes lëndën, duke përcaktuar gamën, ngjyrën, dritën, pra, edhe mozaiku letrar i autores ka atë karakter, ku harmonizohet gjithë materiali njerëzor që lëviz në kohë e në hapësirë, vlerësimet e njërit në raport me tjetrin, qëndrimet dhe shtytjet emocionale të autores. Në këtë vepër janë plotësisht të hapura e të qarta linjat e shtjellimit artistik".


Libri nis me bëmat e Abduhrraman Abdi Arnaut Pashës, i cili në krye të ushtrisë turke, si një supervizor, udhëhoqi për disa vite rresht betejën për marrjen, pushtimin e Budinit (Budapestit të sotëm) ku ra hero, dhe hungarezët i atribuuan një varr madhështor në mes të qytetit.


Në radhën e këtyre personazheve historikë janë Abduhrraman Mehmetliu, Hysen Zaimi, Ceno Kavaja, Muç Shqiptari, Alush Saraçi, Ali Rizai, Dedë Bardhi, etj., "personazhe që për nga veprimtaria që kryen në shërbim të interesave kombëtare, pa asnjë hezitim meritojnë të quhen strategë".


Ndërsa Prof. dr. Roland Gjini, dekan i Fakultetit të Shkencave Humane, ka veçuar nga "Saga..." këtë fragment: "Gjithë Shqipëria ishte një skutë vampirësh, piranjesh që të gërryejnë dhe hanë sa hap e mbyll sytë. Kështu bënë me këtë popull të shkretë. Edhe ata që u munduan të ishin shokë të Enverit, edhe ata, 63% u korrën (u vranë). Një ndër ato kavie jam unë."


Gjini e ka përkufizuar një vepër me vlerë për familjet elbasanase me histori të lavdishme dhe të pasur, dhe, sidomos, për rrëfimin e jetës së një gruaje nën diktaturë. Ajo i referohet një Elbasani të lashtë dhe të kohëve të arta dhe një Elbasani të përfshirë në rrathët e dhunës.


Mynever Hysen Zaimi u lind në Elbasan, më 1925-ën në një familje qytetare dhe me tradita atdhetare dhe kulturore.


Kreu Normalen më 1943-shin dhe Institutin e Lartë të Elbasanit më 1965-ën, me diplomë "Shkëlqyeshëm". Ka qenë pjesëtare në luftën antifashiste nga janari i 1942-shit deri në çlirim të atdheut. Ka bërë dy burgje fashiste dhe një herë të tretë nga diktatura komuniste.


Më 1946-ën vuri në skenë dramën "Peshkatari". Ka shkruar "Korbat e nxijnë qiellin" tablo poetike, "Baresha", libret operetë, romanet "Përplasja ndër vite", "Pusi i haremit", "Të puthura gjarpri", "Skuta vampirësh", "Krenari e përligjur", vëllimet poetike "Ç'mu këndoka", "Drin", "Degë e thyer". Për një kohë të gjatë ajo ka shërbyer në arsim.

Filmi i Danny Boyle, premiera në Tiranë


Kinema "Imperial" njofton shfaqjen së shpejti në dy ekranet e saj në kryeqytet, të filmit "Slumdog Millionaire" i regjisorit britanik, Danny Boyle. Siç dihet, "Milioneri i lagjes së qenve" është fitues i çmimit "Oscar" për vitin 2009 dhe i katër çmimeve Golden Globe.
Historia e vendosur në Indi ka në thelb lojërat që i bën fati njeriut në këtë botë të çuditshme.


Drama ngjethëse e bazuar në best-seller-in e Vikas Swarup (Aventurat përrallore të një indiani të pafat që u bë miliarder) rrëfen historinë e habitshme të Jamalit (Dev Patel), një djalosh rrugësh, i cili bëhet fituesi i madh i "Kush do të fitojë miliona?".


Jamal është një jetim i pashkollë i lagjeve të varfra, që jeton për hir të dashurisë së tij të fëminisë. Nuk i intereson paraja, por dëshira për të gjetur Latikën, dashurinë e tij të vetme.


Vepra e Boyle-t (regjisor i "Trainspotting", "Sunshine") është vlerësuar për ndjeshmërinë me të cilën rrëfehet ngritja nga hiçi e të riut Jamal, i cili është rregullisht objekt dhune dhe poshtërimi. Duke treguar këtë ngjitje, regjisori të çon njëherësh te mjerimet dhe mrekullitë e Indisë së sotme.


Në rolet kryesore interpretojnë Dev Patel, Anil Kapoor, Irrfan Khan. Kohëzgjatja, 2 orë.
Ndërkaq, në "Imperial" po vazhdon të shfaqet një tjetër film i vlerësuar me "Oscar", "Revolutionary Road", i regjisorit Sam Mendes.

Një javë me filma në spanjisht

"Iberoamerica on the screen" mban titullin aktiviteti që realizohet këtë javë në kinemanë e Akademisë së Filmit dhe të Multimedias "Marubi". Që nga dita e sotme e deri më 7 qershor, çdo ditë, në orën 19:00, në sallën "Jim dhe John Belushi" projektohen filma të regjisorëve hispanikë. Sot prezantohet regjisori Marcos Carnevale me komedinë "Elsa y Fred".


Ndërsa në ditë në vijim prezantohen regjisori kilian Silvio Caiozzi me komedinë "Cachimba"; Tomas Gutierrez Alea Juan Carlos Tabío me dramën "Fresa y Chocolate"; regjisori uruguaian Guillermo Casanova me "El Viaje hacia el mar", argjentinasi Adrian Caetano me "Un oso rojo", ndërsa ditën e fundit shfaqet muzikali "Habana Blues", i regjisorit kuban Benito Zambrano Tejero. Filmat shoqërohen me titra në anglisht dhe shqip. Hyrja është e lirë.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›