E rreh kunati, vetëhelmohet nëna e dy fëmijëve
VETËVRASJA/ 34-vjeçarja u akuzua në sy të njerëzve nga vëllai i burrit për një sjellje jomorale të saj
Ka dëgjuar kunatin teksa i ka bërtitur në sy të njerëzve me fjalët se ishte një e përdalë dhe më pas i është drejtuar shtëpisë ku ka pirë ilaçe, çka i kanë shkaktuar vdekjen. 34-vjeçarja Miranda Isaku ka ndërruar jetë në spital, pa mundur të shpëtohet nga mjekët teksa u paraqit atje në momente agonie.
Ndërkohë, menjëherë më pas, policia ka vënë në pranga kunatin e saj, Ilmi Isaku, 49 vjeç, i cili akuzohet për "shkaktim të vetëvrasjes". Burime bëjnë të ditur se viktima dhe vëllai i bashkëshortit të saj grindeshin shumë shpesh kohët e fundit, ndërsa 34-vjeçarja ishte akuzuar nga i pandehuri për sjellje jo të mirë morale.
Mësohet se Ilmi Isaku, 49 vjeç, jetonte bashkë me të atin, si dhe vëllanë e tij të martuar në të njëjtën banesë. Herë pas here ai dhe kunata e vet Miranda, grindeshin njëri me tjetrin.
Por pasditen e së dielës i ati i tij ishte shprehur se e kishte parë nusen e të birit me një person tjetër, për të cilin dyshonte se kishte një lidhje jashtëmartesore. Kjo ka bërë që ai të vërë në dijeni djalin, bashkëshortin e Mirandës.
Por ky i fundit duket se nuk i ka kushtuar shumë vëmendje fjalëve të të atit. Si rrjedhojë, burri i është drejtuar djalit tjetër e pikërisht Ilmiut. 49-vjeçari pasi ka dëgjuar fjalët e të atit, është nisur menjëherë dhe e ka gjetur kunatën e vet në dyqanin e fshatit teksa blinte ushqime.
Atje mësohet që ta ketë qëlluar nusen e vëllait dhe ta ofendojë me fjalët: "Na turpërove! E përdalë" etj, fjalë që janë dëgjuar edhe nga persona të tjerë të pranishëm në ato momente në dyqan. Në këto kushte, 34-vjeçarja Miranda, nënë e dy fëmijëve, ka shkuar në shtëpi dhe ka marrë disa ilaçe të vjehrrit të saj dhe i ka pirë.
Më pas ka shkuar në dhomën e saj ku edhe është gjetur në gjendje të rëndë. Menjëherë më pas gruaja është dërguar për në spitalin e Lushnjës, por pa mundur të shpëtojë, duke ndërruar jetë.
Pas vdekjes së 34-vjeçares, të vënë në dijeni, oficerët e policisë i janë drejtuar banesës së viktimës në Çermë. Atje kanë marrë në pyetje familjarët lidhur me ngjarjen e ndodhur. Mësohet se para bluve, si vjehrri edhe kunati janë shprehur për viktimën se kishin reaguar pasi plaku i shtëpisë e kishte parë duke u sjellë jomoralisht nusen.
Por ndërkohë policia ka arrestuar 49-vjeçarin, ndërsa ndaj tij është ngritur akuza e "shkaktimit të vetëvrasjes" Burimet policore pohuan se zënkat mes Ilmiut dhe kunatës së tij kishin ndodhur shpeshherë muajt e fundit.
DEPRESIONI
Vuante nga një sëmundje, qëllon veten me çifte
Vuante prej kohësh nga një sëmundje kanceroze e si rrjedhojë, në çastet e depresionit ka vendosur t'i japë fund jetës.
Ndrekë Petushi, 69 vjeç, është vetëqëlluar me çifte, armë të cilën e kishte me leje dhe më pas ka ndërruar jetë. 69-vjeçari, nga fshati Gradishtë i Lushnjës, vetëm një ditë më parë kishte pësuar një shok për shkak të sëmundjes dhe si rrjedhojë duket se ka vendosur të mos vuajë më, duke u vetëqëlluar.