E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama-Berishës: S'më duhet mandat për të ndenjur ulur

Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka deklaruar se i nevojitet një mandat për të transformuar vendin


TIRANË- Ndërsa PD-ja ka hapur dje fushatën elektorale, kryetari i PS-së, Edi Rama, i ka kthyer përgjigje Kryeministrit Sali Berisha, lidhur me mospërfshirjen e tij në listën e kandidatëve për deputetë. "Sali Berisha më bën thirrje të bëj trimërinë që ta fus emrin tim të parin në listën e deputetëve dhe t'i braktis qytetarët e Tiranës.


Por unë i them kryeplakut të politikës së vjetër se karrigia e deputetit mund t'i duhet atij që do të jetë në opozitë, ndërsa mua nuk më duhet një mandat për të ndenjur ulur, po një mandat për të qenë në këmbë, në krye të transformimit të madh, në çdo qytet e fshat, ku do ta çoj qeverinë pas 28 qershorit, ku do të punoj bashkë me njerëzit për të realizuar programin, që shkruam së bashku gjatë "Dialog me Shqipërinë", ku do të ndërtojmë së bashku Shqipërinë e re si gjithë Europa.


Për mua politika nuk është luftë për pushtet, as mundësi për t'i gjetur vetes një karrige dhe as instrument për të përfituar duke thënë gjëra që nuk i bëj e duke bërë gjëra që nuk thuhen", - tha dje Rama gjatë takimit të zhvilluar në qytetin e Durrësit.


Kryetari i opozitës shtoi se PS-ja është partia e qytetarëve që jetojnë në qytet e në fshat, sepse për këtë parti nuk ka një Shqipëri qytetarësh e një Shqipëri fshatarësh, po një Shqipëri të vetme qytetarësh të barabartë. "Me votën që keni në dorë ju do të zgjidhni mes dy rrugësh.


Ose rrugën e vjetër të këtyre 18 vjetëve, që do të thotë edhe katër vjet të tjera me Sali Berishën, me koalicionin e Gërdecit dhe me të tjera trazira e zullume të pazarit të politikës së vjetër, ose rrugën tonë të re, që do të thotë ndarje me të shkuarën e me marifetçinjtë politikë të së shkuarës dhe dalje nga pazari i vjetër i numrave e i hesapeve, me të cilat duan t'ju mbajnë peng edhe katër vjet të tjera gjithfarë partish e kandidatësh",- tha Rama.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›