E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masa: Alonso e dinte skandalin, ishte pjesë e lojës

“Me siguri që Alonso dinte gjithçka mbi incidentin e Pike në Singapor. Edhe ai ishte pjesë e lojës”. Kjo është deklarata e Felipe Masës, menjëherë pas mbërritjes në Brazil.

Në një takim informal me gazetarët vendas të organizuar nga Ferrari, Masa ka gjetur rastin t’i rikthehet edhe një herë asaj që ka ndodhur në vitin 2008, por që ka të bëjë edhe me atë që vitin tjetër do të jetë shoku i skuadrës tek “Kokëkuqja”.

Në fakt, Felipe asnjëherë nuk e ka fshehur se e konsideron një skandal faktin se klasifikimi i renditjes së asaj gare (e fituar nga Alonso) nuk u ndryshua. Dhe ajo ishte një garë e rëndësishme në vijimësinë e kampionatit të sezonit të kaluar, ku Ljuis Hamilton u shpall fitues në garën e fundit, pikërisht në dëm të Felipe Masës.

Edhe pse braziliani e ka tërhequr disi deklaratën e tij pak më vonë, çështja qëndron në pyetjen nëse dy pilotët e Ferrarit duke filluar nga viti i ardhshëm mund të kenë një bashkëpunim dhe një harmoni midis tyre.

Një provokim nga ana e Masës qëndron edhe në një frazë tjetër të shqiptuar nga ai: “Nëse do të varej nga unë, do të rikthehesha të garoja që në garën e Brazilit”. Kjo do të thotë se e pranon vendimin e skuderisë (Masa do të rikthehet në fillim të sezonit tjetër), megjithëse nuk është i bindur.

Menjëherë pas këyre deklaratave, është vetë Felipe Masa që bën një sqarim në faqen zyrtare të Ferrarit në internet. “Ajo që thashë është frut i një ndjenje time personale dhe nuk mbështetet mbi asnjë fakt konkret – tha piloti brazlian i “Kokëkuqes”.

Ai shtoi më tej se Këshilli Botëror i FIA-s ka dalë në përfundimin se nuk ka asnjë provë që Fernando Alonso është i përfshirë në atë incident dhe se ai e pranon këtë vendim.

“Më vjen keq për deklaratën time mbi atë çka ndodhi në Singapor. Thjesht thashë atë që mendova dhe tani është momenti për ta mbyllur këtë çështje dhe për të ecur përpara. Ajo që mund të them me siguri është se kjo ngjarje nuk ka për të kushtëzuar raportet e mia me Fernandon kur të jemi shokë skuadre te Ferrari”, ka përfunduar Masa.

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›