E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëveshja me Greqinë, ankesë në Gjykatën Kushtetuese

Për këtë arsye, gjatë ditës së djeshme kreu i PS Edi Rama mblodhi në një tryezë, kryetarët e disa partive, ku përveç të majtave në opozitës, edhe parti të djathta, të cilat nuk kanë asnjë deputet në Parlament.

Në këtë takim të ftuar ishin, Kreu i PSD Skënder Gjinushi, Kreu i G99 Erion Veliaj, Kreu i PLD Spartak Ngjela, Kreu i PDK Nard Ndoka dhe ish-drejtuesi i LSI Ndre Legisi.

 “U ra dakord që të nënshkruajmë atë hap që ne i ftuam të ndërmerrnim së bashku, për të ankimuar në Gjykatën Kushtetuese këtë marrëveshje krejtësisht të pavend dhe krejtësisht të padenjë, e cila pa asnjë dyshim duhet të zmbrapset për të krijuar kushtet që të ketë një rinegocim, ku ata që e përfaqësojnë vendin tonë, duhet ta përfaqësojnë denjësisht, si të barabartë mes të barabartëve”, tha kryetari socialist Edi Rama pas takimit.

Ankimimi mbështetet në nenin 2 të Kushtetutës, ku thuhet se: “Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit. Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti. Për ruajtjen e paqes dhe të interesave kombëtare, Republika e Shqipërisë mund të marrë pjesë në një sistem sigurimi kolektiv, në bazë të një ligji të miratuar me shumicën e të gjithë anëtarëve të Kuvendit”. 

Ankesa bazohet edhe në nenin 3 të Kushtetutës, ku thuhet se: “Pavarësia e shtetit dhe tërësia e territorit të tij, dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, drejtësia shoqërore, rendi kushtetues, pluralizmi, identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare, bashkëjetesa fetare, si dhe bashkëjetesa dhe mirëkuptimi i shqiptarëve me pakicat janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë”. Këto dhe të tjera baza kushtetuese janë ato shtylla ku është mbështetur ankesa e koalicionit të këtyre partive, sipas të cilave me këtë marrëveshje preket tërësia territoriale e vendit.

Marrëveshja për përcaktimin e kufirit detar me Greqinë, u firmos mes dy qeverive në 27 prill të këtij viti.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›