Masa e sigurisë, Dritan Dajti shoqërohet në gjykatë
TIRANË- Nën masa të rrepta sigurie, Dritan Dajti është shoqëruar për në Gjykatë në pritje të vlerësimit të masës së sigurisë. Ndonëse ishte thënë se masa e tij do të bëhej në Spitalin e Burgut, kushtet shëndetësore kanë lejuar që të ndryshohej vendimi dhe ai së bashku me dy të arrestuarit e tjerë për masakrën e Durrësit të shoqërohej për në gjykatë.
Dy prokurorët e çështjes janë Ardian Nezha dhe Eugen Beçi që do lexojnë akuzën dhe do kërkojnë arrestin burg pa afat për Dajtin, ndërkohë që gjykatëse është Marsela Balili.
Avokati Alban Bengasi mësohet se do mbrojë me sa duket vetëm Xhoxhin, kunatin e Dajtit, kurse ky vetë do mbrohet nga zyra ligjore e avokatit Ardian Leka dhe Ardian Kasapi.
Janë të njëjtët që kanë mbrojtur Dajtin në dy çështjet e tjera penale, ku është dënuar me 20 vjet burg për vrasjen dhe 9 vite burg për "arratisjen", që në bashkim dënimesh, në total është dënuar me 25 vjet heqje lirie. Ndërsa avokati Alban Bengasi, është kërkuar nga vetë i arrestuari Xhoxhi.
Ndaj të arrestuarit Dritan Dajti rëndon akuza e "vrasjes në rrethana cilësuese" të dy apo më shumë personave ndaj katër agjentëve të policisë; "vrasjen pa dashje" të Ledion Mares; "vrasjes në rrethana cilësuese" të mbetur në tentativë, si dhe "armëmbajtje pa leje" në bashkëpunim.
Ndërsa ndaj të arrestuarit Ergest Xhoxhi rëndojnë të gjithë akuzat e mësipërme, por në pozicionin e bashkëpunëtorit dhe jo ekzekutorit.