E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masa ndaj përleshjeve, orë policore në Kajro

Udhëheqësit ushtarakë të Egjiptit kanë vendosur orë policore përreth Ministrisë së Mbrojtjes në Kajro, pas përleshjeve ndërmjet trupave dhe protestuesve që kërkojnë fundin e sundimit ushtarak.

Njoftimin e ka bërë të ditur anëtari i Këshillit Suprem të Forcave të Armatosura, Mokhtar Al-Moulla.

“Këshilli Suprem i Forcave të Armatosura ka vendosur si vijon: orë policore në Sheshin Abasia dhe në afërsi të Ministrisë së Mbrojtjes, ashtu si dhe në të gjitha rrugët që çojnë tek ajo”, ka thënë Al-Molla, për të sqaruar se vendimi vlen deri të dielën, në orën 7:00.

Një polic është vrarë dhe qindra janë plagosur kur autoritetet e rendit kanë përdorur topat e ujit, gazin lostjellës dhe municionin e vërtetët për të ndaluar protestuesit të marshojnë para Ministrisë së Mbrojtjes.

Policia bën të ditur se mbi 170 protestues janë arrestuar.

Përleshjet e fundit vijnë vetëm dy ditë pas luftimeve në të njëjtën zonë, ku kanë humbur jetën 11 persona.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë se të paktën 18 gazetarë janë sulmuar, plagosur apo arrestuar në tre ditët e fundit, teksa mbulonin ngjarjet në Kajro.

Këto të fundit vijnë vetëm pak javë para zgjedhjeve presidenciale në Egjipt, të cilat janë të parat që nga përmbysja e sunduesit veteran, Hosni Mubarak, në kryengritjen popullore të vitit të kaluar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›