E Diel, 1 Nëntor 2026

Masa parandaluese ndaj Murtajës Afrikane të Derrave, forcohen kontrollet në kufi

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB) ka intensifikuar kontrollet dhe monitorimin në terren pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme veterinare në Republikën e Serbisë, për shkak të përhapjes së Murtajës Afrikane të Derrave (MAD).

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka urdhëruar ndalimin e importit të derrave të gjallë, produkteve dhe nënprodukteve me origjinë nga derri nga zonat e prekura në territorin e Republikës së Shqipërisë, si masë parandaluese për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve.

Në kuadër të zbatimit të këtyre masave, Drejtori i Përgjithshëm i AKVMB-së, Rolandi Meçaj, zhvilloi një takim pune me strukturat e Shërbimit Veterinar Rajonal në Shkodër, ku u vlerësua situata epidemiologjike dhe u diskutuan masat për parandalimin e përhapjes së sëmundjes.

Gjatë takimit u kërkua intensifikimi i monitorimit aktiv në të gjitha fermat e mbarështimit të derrave, si dhe raportimi i përditshëm pranë AKVMB-së mbi kontrollet e kryera dhe gjendjen shëndetësore të fermave.

Në vijim të vizitës, Meçaj inspektoi Pikën e Kalimit Kufitar “Hani i Hotit”, ku u zhvillua një takim me strukturat përgjegjëse të kontrollit kufitar. Në fokus ishte forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional mes Shërbimit Veterinar dhe inspektorëve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, për kryerjen e kontrolleve të plota fizike dhe dokumentare të çdo ngarkese me kafshë të gjalla.

Sipas AKVMB-së, kontrollet do të vijojnë për të garantuar zbatimin me rigorozitet të ndalimit të hyrjes së derrave dhe produkteve me origjinë nga vendet e prekura nga sëmundja.

Drejtori i Përgjithshëm i AKVMB-së kërkoi gjithashtu monitorimin e mjeteve të transportit të kafshëve në akset kryesore rrugore dhe verifikimin e pajisjes së tyre me Certifikatën e Lëvizjes së Kafshëve.

Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet zonave kufitare me Malin e Zi dhe Kosovën, të cilat konsiderohen me rëndësi të veçantë për parandalimin e përhapjes së sëmundjes.

Gjithashtu, AKVMB theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes veterinerëve zyrtarë dhe shoqatave të gjuetarëve për evidentimin dhe raportimin e menjëhershëm të çdo derri të egër të ngordhur apo me shenja klinike të dyshimta, pasi derrat e egër konsiderohen një nga rezervuarët kryesorë të virusit të Murtajës Afrikane të Derrave.

/e.xh/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›