Masa për hapjen e rrugëve nga dëbora në Pogradec, pritet rikthimi i reshjeve

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Në njësitë administrative të bashkisë Pogradec janë krijuar problematika si pasojë e reshjeve të dëborës në orët e fundit.
Bashkia Pogradec publikoi në rrjetet sociale, foto të rrugëve kryesore e të brendshme ku vijon puna për pastrimin e rrugëve dhe trotuareve.
Reshjet intensive janë shoqëruar me erë, duke shkaktuar problematika kryesisht në njësitë administrative. Trashësia e dëborës në këto zona arrin nga 20-40 cm. Prej orëve të para të mëngjesit të sotëm ka nisur puna për hapjen e rrugëve drejt qendrës së njësive Trebinjë, Velçan, Proptisht e Dardhas ku dëbora arrin në 40 cm.
Aktualisht po punohet edhe për hapjen e rrugëve në njësitë Udënisht dhe Çerravë.
Si pasojë e dëborës dhe motit të keq, ditën e sotme nuk u hapën shkollat në njësitë Velçan, Trebinjë e Proptisht, për të shmangur problematika të tjera.
Puna prej orëve të para të mëngjesit ka nisur edhe në qytetin e Pogradecit edhe pse situata është monitoruar përgjatë gjithë natës. Vijon puna për pastrimin e trotuarëve në rrugët kryesore dhe të brendshme ndërsa është krijuar aksesi i lëvizjes për shkollat dhe kopshtet.
Duke qenë se pritet që reshjet të kthehen, bashkia Pogradec bëri me dije se do vijojë të jetë në gatishmëri për të minimizuar sa më shumë problematikat që mund të shkaktohen. /j.p/
1 nga 21