Masakër në Durrës, vriten 3 persona, në kërkim autori
DURRËS- - Masakër në Durrës. Nje person i armatosur ka hapur zjarr brenda një lokali në lagjen numër 9 në qender të qytetit bregdetar. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme rreth ores 22:50, ndërsa si rezultat i sulmit kanë mbetur të vdekur 3 persona. Burime nga policia bëjnë të ditur se kanë humbur jetën shtetasit , Luan Curri, 44 vjec, nipi i tij Andi Curri 23 vjec, dhe Edmond Shemsi me profesion inxhinier. Mësohet se një person që udhëtonte me motor, në orën 22:50 të ditës së mërkurë, ka ndaluar në hyrje të lokalit duke e lënë mjetin të ndezur. Menjëherë ka nxjerrë një automatik kallashnikov dhe ka lëshuar breshëritë e plumbave në tavolinën ku po rrinin tre persona. Pasi ka harxhuar mbi 20 plumba të armës, ai ka dalë jashtë lokalit dhe është larguar me shpejtësi me motor. Breshëritë e kallashnikovit kanë terrorizuar jo vetëm të pranishmit në lokal, por dhe banorët e lagjes. Viktimat janë nisur për në spital, por nuk kanë mbijetuar. Ende nuk dihen shkaqet e kësaj masakre dhe identiteti i vrasësit. Ngjarja ka vënë në alarm gjithë strukturat e policisë së Durrësit duke nisur menjëherë hetimet për të zbardhur ngjarjen dhe për të bërë të mundur identifikimin e autorit. Forca të shumta të policisë kanë nisur kryerjen e veprimeve hetimore. Mësohet se në vendngjarje janë gjetur disa gëzhoja arme të kalibrit 72 milimetra, që janë administruar në vlerën e provës. Policia ka shoqëruar disa persona për hetime.(e.n/BalkanWeb)