E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kinë, përplasen dy trena pasagjerësh

Të paktën 70 persona u vranë dhe 400 të tjerë janë lënduar gjatë përplasjes së dy trenave pasagjerësh në lindje të Kinës. Njëri tren, që udhëtonte nga Pekini për në Qingdao, njoftohet se kishte dalë nga shinat dhe u përplas me trenin tjetër, që udhëtonte nga Yantai për në Xuzhou, në provincën Shandong. Dhjetë vagonë të trenit të Pekinit u përmbysën në një kanal gjatë përplasjes që ndodhi në qytetin Zibo. Kreu i Ministrisë së Hekurudhave, Liu Zhijun, ndodhet në vendngjarje. Nga të lënduarit, 51 pasagjerë ndodhen në gjendje kritike, njofton media lokale. Përplasja ndodhi të hënën në orën 04.43 me orën lokale dhe ekipe shpëtimi bashkë me zyrtarë ndodhen në vendngjarje. Ka njoftime se dy trenat janë përplasur ndërsa udhëtonin në drejtim të njëri-tjetrit, por ende nuk dihet me saktësi se çfarë ka ndodhur, thotë korrespondenti i BBC-së në Pekin, Michael Bristou. Ai po ashtu thotë se shërbimi i trenave në zonë është ndërprerë. Agjencia "Xinhua" thotë se gazetarët e saj nuk u lejuan që të vizitonin vendngjarjen. Megjithatë, ajo njofton se përplasja ndodhi në periferi të qytetit Zibo, rreth 70 km larg nga qendra rajonale, Jinan. Organet e qeverisjes lokale të qytetit Zibo, kanë bërë të ditur ndërkohë, se kanë nisur një ekip prej 1500 personash për të ndihmuar dhe ngushëlluar familjet e viktimave.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›