Masakër në një qendër estetike, 3 të vdekur në SHBA

Rikthehen vrasjet në Shtetet e Bashkuara. Një person i armatosur hapi zjarr në një sallon bukurie duke vrarë 3 femra e duke lënë të plagosur një tjetër.
Ngjarja e rëndë, e radhës në një hark kohor brenda pak muajve pas asaj në kinemanë e Kolorados, u regjistrua në qytezën e Casselberry-t në Florida. Sipas autoriteteve dhe mediave lokale, personi i armatosur me një armë tip pistoletë, ka hyrë në sallonin e bukurisë dhe ka hapur zjarr menjëherë.
3 kliente femra kanë gjetur vdekjen, ndërsa një tjetër është shoqëruar në spital në gjendje të rëndë, ndërkohë që agresori ka qëlluar edhe ndaj vetes në momentin kur ka dalë nga salloni.
Nuk dihen arsyet e krimit të rëndë, por policia dyshon për një krim pasionant dhe mendon se mes viktimave ndodhet edhe një femër e cila ka patur një lidhje intime me vrasësin.
Rastet kur përsona të armatosur qëllojnë ndaj masave janë përshkallëzuar së fundmi.