Masakër te Mali i Robit, vriten për pronat me 20 plumba dy persona
Kavajë/Dy të vdekur dhe dy të plagosur është bilanci tragjik i ngjarjes së rëndë me motiv një konflikt të vjetër pronësie, të ndodhur mesditën e djeshme në zonën e Malit te Robit, në Kavajë. Si pasojë e konfliktit me armë zjarri ka mbetur i vdekur Sulejman Shehu 53-vjeç, i qëlluar me mbi 12 plumba dhe Durim Pashallari, mbi trupin e të cilit u derdhën 8 plumba, ndërkohë që janë plagosur nënë e bir, Erjon dhe Beglije Shehu, 53-vjeç. (Mësohet se shtetasi Suljeman Shehu i cili ka mbetur i vdekur, është babai i Erjonit dhe bashkëshorti i Beglies). Erjoni është qëlluar me dy plumba, ndërsa nëna e tij me 1 plumb. Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e djeshme pranë një moli në ndërtim e sipër në zonën e Malit të Robit, pranë një fshati turistik, duke shkaktuar panik tek pushuesit, ndërkohë një autoambulancë e nisur drejt spitalit të Durrësit ka transportuar personat e plagosur. Bluzat e bardha bënë me dije se shtetasi Erjon Shehu ndodhet në gjendje të rëndë për jetën, ndërkohë që nëna e tij në gjendje më të mirë. Autori i dyshuar i vrasjes dhe plagosjes së dyfishtë, shtetasi Ardian Traga mësohet se është vetëdorëzuar në polici, disa orë pas ngjarjes. Ai është dërguar me urgjencë në Spitalin e Durrësit, pasi ishte plagosur me dy plumba. Ndërsa viktima tjetër, shtetasi Durim Pashallari ishte truprojë i Tragës. Grupi hetimor i ngritur menjëherë ka nisur punën për marrjen në pyetje të pushuesve, ndërkohë që do merret në pyetje edhe autori.
Hetimet
Nga hetimet paraprake mësohet se bëhet fjalë për një konflikt të hershëm për një platformë, e cila po ndërtohet shumë pranë molit ku ka ndodhur vrasja dhe plagosja e dyfishtë. Policia bën me dije se Ardian Traga dhe Sulejman Shehu ndodhen në konflikt për pronën prej 5 vitesh. për 1.5 ha tokë në bregdet, në pjesën ku ndodhi edhe krimi i rëndë mesditën e djeshme. Inspektorë, prokurorë dhe forca të shumta kanë mbërritur në vendngjarje, të cilët po punojnë për zbardhjen e ngjarjes. Ndërkohë policia ka ngritur postblloqe të shumta, pasi dyshohet për persona të tjerë të përfshirë ne konflikt.
Dëshmitarët: Autori mori
armën në banesë pasi u dhunua
Dëshmitarë nga vendngjarja kenë bërë të ditur se konflikti midis 4 shtetasve ka nisur në orët e para të mëngjesit. Dëshmitarët bëjnë me dije se 3 anëtarët e familjes Shehu kanë dhunuar autorin, i cili në nxehje e sipër ka shkuar në shtëpi dhe ka marrë armën me të cilën kreu krimin.