Përgjaken rrugët, aksidentet marrin 3 jetë, 8 të plagosur
Katër aksidente me pasojë tre të vdekur dhe tetë të plagosur rëndë kanë ndodhur gjatë 24 orëve të fundit në akset rrugore në Shkodër, Elbasan, Fushë-Krujë dhe Durrës. Shkak në pjesën më të madhe të ngjarjeve është bërë përdorimi i tepruar i alkoolit nga drejtuesit, njëri prej të cilëve ka humbur jetën, kurse në ngjarjet e tjera një shofer është i paidentifikuar dhe ka braktisur vendngjarjen, kurse një tjetër ka qenë me shpejtësi. Bilanci më tragjik u shënua në Shkodër mëngjesin e djeshëm, ku humbën jetën 2 gra që udhëtonin me biçikletë dhe shoferi që i goditi, ndërsa i plagos shoqëruesja e tij.
Shkodër
Aksidenti u shënua rreth orës 06:30 të mëngjesit, në aksin rrugor Shkodër-Bushat, në vendin quajtur Ura e Bunës, pranë kompleksit Alpet. Policia tha se mjeti tip Renault veturë, me targa AA140DX, me drejtues Glesar Zaganjori, 21 vjeç, banues në Shkodër, si pasojë e humbjes së kontrollit, dyshohet përdorimi i tepruar i alkoolit ose përgjumja, ka përplasur Xhevahire Dibra, 67 vjeçe dhe Satbere Belinova, 59 vjeçe, të dyja banuese në qytet dhe që udhëtonin me biçikleta. Si pasojë e këtij aksidenti, kanë humbur jetën vetë drejtuesi i mjetit, dy gratë që udhëtonin me, si dhe ka pësuar dëmtime dhe ndodhet në spitalin rajonal Shkodër, R. Cama, e cila udhëtonte si pasagjere në mjetit tip Renault. Mjeti ka dalë në trotuar, ka goditur gratë dhe rrëzuar një shtyllë, duke u kthyer dhe vetë përmbys.
Fushë-Krujë
Katër persona kanë mbetur të plagosur në një aksident në aksin Fushë-Krujë-Milot. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të fshatit Luz mbrëmjen e djeshme dhe kjo ishte ngjarja e tretë brenda 24 orëve. Sipas policisë një automjet tip Benz, me targa greke, në përpjekje për të parakaluar është përplasur me një tjetër makinë që ka përfunduar në kanal. Si pasojë e përplasjes kanë mbetur të plagosur rëndë 4 personat që udhëtonin me dy automjetet, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur. Paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e madhe e mjetit me targa greke.
Elbasan
Dy këmbësorë mbetën të plagosur rëndë në aksident në qytetin e Elbasanit orët e vona të së hënës. Ngjarja ndodhi pranë vendit të quajtur Dogana, kur një veturë tip Benz, e drejtuar nga Abdulla S., ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga duke kaluar në trotuar. Makina ka goditur të moshuarin Rifat Balla, 60 vjeç dhe djalin e tij Gentian Balla, 20 vjeç, që ishin këmbësorë. Por mjeti rrezikoi dhe shumë kalimtarë të tjerë, pasi në atë orë rruga ishte e mbipopulluar. Policia ndaloi drejtuesin e makinës dhe konstatoi se ai ishte në gjendje të dehur.