E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra e Cërrikut. Dëshmia e të penduarit: “Mbi blindën e policisë qëlloi Arian Toska”

Bujar Buzani vijoi dje dëshminë e tij duke zbardhur të tjera fakte për ngjarje. Llazar Bicja kërkoi dorëheqjen e prokurorit për shkak se “po e kthente gjykimin në inate personale”

Laureta Rryçi

Tiranë - Procesi gjyqësor ndaj bandës së Cërrikut zbardh ngjarjen e rëndë të vitit 1997 ku mbetën të vrarë 6 policë. Procesi në ngarkim të bandës së Cërrikut vijoi dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda me dëshminë e njërit prej të pandehurve për ngjarjen e rëndë të 1997-s në qytezën e Cërrikut, ku, si pasojë e një sulmi me armë zjarri, u vranë 6 punonjës të Gardës së Republikës si dhe u plagosën disa punonjës të Policisë së Shtetit në tentativë për vendosjen e rendit dhe të qetësisë publike. I pandehuri Bujar Buzani, i cili ka dhe statusin e të penduarit në këtë dosje, iu përgjigj pyetjeve të avokatëve në lidhje me informacionet që ai kishte dijeni për ditën e ngjarjes. Dëshmia e tij është cilësuar si një nga provat e forta të prokurorisë për çështjen në fjalë. Në këtë proces janë marrë me cilësinë e të pandehurit Llazar Bicja, Met Bozi, Arian Toska, Roland Sota (Xhepexhiu), Alban Toska, Skënder Cani, Tomorr Buzani, Bujar Buzani, Entel Gashi. Këta persona, shumë prej tyre të arrestuar vitin që shkoi nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, akuzohen ndër të tjera për "vrasje në rrethana të tjera cilësuese në bashkëpunim". Gjatë seancës, i pandehuri Llazar Bicja i kërkoi prokurorit Anton Martini të hiqte dorë nga dosja pasi po e kthente gjykimin e saj si “shumë personale”.
Dëshmia
I penduari i masakrës së Cërrikut ka vijuar dëshminë e tij duke shfajësuar të afërmit të tij dhe duke drejtuar gishtin drejt Arian Toskës. “Vëllai im, Sokol Buzani, nuk ka qëlluar mbi blindin”, - ka treguar i pandehuri. Më pas, ai ka shpjeguar se ditën e ngjarjes ka vënë re se arma 12.7 ishte montuar para se të vinin makinat e policisë duke vërtetuar se gjithçka ishte mirorganizuar atë ditë për të pasur sa më shumë viktima nga radhët e efektivave të policisë. Sipas Buzanit, mbi autoblindën e gardistëve kishte qëlluar Arian Toska. Më pas kishte qëlluar edhe vetë ai ku kishte mbetur i plagosur për shkak se nuk dinte ta përdorte mirë këtë lloj arme. Sipas kësaj dëshmie, ai ngjitur me blindën ka parë dy gardistë të vrarë ndërsa më vonë ka mësuar se të vdekur kishin mbetur gjashtë persona. Sipas Buzanit, Bozi kishte shfrytëzuar gjendjen e hasmërisë që ndodheshin familja e tij me grupet e tjera në Cërrik. “Ditën e ngjarjes i kam parë të ishin bashkë Land Xhepaxhiun, Met Bozin dhe Llazar Bicen. Në atë ditë kanë qenë edhe të gjithë të pandehurit që janë këtu, përveç Entel Gashit dhe Alban Toskës që nuk m’i kanë parë sytë atë ditë”, - dëshmoi i pandehuri. Sipas tij, para se të vinin makinat e policisë, djemtë i kishin zënë pozicionet në tarracat e pallateve dhe më pas ka nisur një luftë e vërtetë mes tyre dhe gardistëve. Sipas tij, është vënë re edhe një grua, e cila kërkonte të mos qëllonim mirëpo sërish të shtënat nuk kanë pushuar derisa i kanë nxjerrë fundin të gjithave.
Hetimi
Pas dhjetë vitesh me rihapjen e dosjes, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka mundur të rindërtojë edhe një herë masakrën e Cërrikut. E gjithë kjo pikësëpari falë një prove të pakundërshtueshme. Bëhet fjalë për një kasetë, e ruajtur mirë për një dekadë, e cila është dorëzuar pak muaj më parë në Drejtorinë e Krimit të Organizuar në Ministrinë e Brendshme. Por, dosjes së kësaj masakre së fundmi i është shtuar edhe një tjetër dëshmi po aq e rëndësishme, një nga të arrestuarit së shpejti pritet të nënshkruajë marrëveshjen si i penduar i drejtësisë. E ndërsa do t’i bashkëngjiten dosjes edhe dëshmitë e gardistëve që u plagosën apo të tjerëve që ishin në vendngjarje, duket se Krimet e Rënda e kanë të kopsitur mirë këtë dosje. Burime pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda pohuan se kaseta ka qenë indicja e parë për nisjen e rihetimit dhe më pas dëshmitë e personave që kanë asistuar në vendngjarje kanë risjellë edhe një herë ditën e 23 majit të vitit 1997 me viktima dhe autorë. Versioni i plotë i masakrës tashmë është përpiluar dhe tani kjo dosje është në fazën e gjykimit.

11 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›