Gjyqtari Ardian Nuni lë spitalin
Tiranë - Gjyqtari Ardian Nuni, i plagosur dy ditë më parë, ka lënë dje Spitalin Ushtarak, pasi gjendja e tij shëndetësore është e mirë dhe jashtë rrezikut për jetën. Burime nga Spitali Ushtarak deklaruan për gazetën se gjyqtari i Gjykatës së Lartë iu nënshtrua të gjitha ekzaminimeve mjekësore dhe se ai nuk ka më asnjë komplikim për shëndetin. Mësohet gjithashtu se ekzaminimet e fundit janë bërë rreth mesditës, kohë kur ai la edhe ambientet e Spitalit Ushtarak për të shkuar në banesën e tij në rrugën “Komuna e Parisit”. Miq, të afërm dhe politikanë kanë vazhduar vizitat në dhomën nr. 1 të pavijonit VIP në Spitalin Ushtarak.
Atentati ndaj Nunit solli reagimin e fortë të politikës. Presidenti Topi kërkoi parandalimin e ngjarjeve të tilla nga strukturat përgjegjëse, kurse opozita deklaroi se atentati ndaj gjyqtarit ishte sulm mbi Gjykatën e Lartë, e cila po heton aferat korruptive të qeverisë. Anëtari i Gjykatës së Lartë, Adrian Nuni, u qëllua me armë zjarri pistoletë mbrëmjen e së dielës nga një person ende i paidentifikuar. Sipas mjekëve që po e mbajnë në vëzhgim, gjendja shëndetësore e Ardian Nunit paraqitet e mirë. Si pasojë e 4 plumbave, gjyqtari Nuni ka pësuar dëmtime në dy organe, në ekstremitetin e sipërm të majtë (në krahun e majtë) dhe në legjionin lumbar në inde të buta, muskulaturë, por pa rrezik për jetën. Hetimet e policisë për zbardhjen e ngjarjes vazhdojnë të jenë intensive. Burime nga grupi i hetimit saktësuan se janë marrë të gjitha dëshmitë e nevojshme për zbardhjen e ngjarjes së të dielës në mbrëmje, kur gjykatësi Nuni u plagos me katër plumba në afërsi të banesës së tij.
11 Shkurt 2009