Zbardhen procedurat e aplikimit për provimet e maturës
Jonida Tashi
Provimet e maturës do të zhvillohen pas përfundimit të procesit mësimor të shkollës së mesme. Provimet e maturës përbëhen nga provime të detyrueshme dhe me zgjedhje. Provimet e detyrueshme do të zhvillohen secili në një ditë të veçantë, kurse provimet me zgjedhje do të zhvillohen në një ditë dhe vetëm një herë në vit. Provimet e maturës do të zhvillohen vetëm me shkrim. Datat e provimeve të maturës do të caktohen nga ministri i Arsimit. Provimet e detyruara të maturës i jep çdo nxënës që ka përfunduar vitin e fundit të shkollës së mesme dhe ka plotësuar formularin A1. Çdo nxënës mbetës në provimet e detyruara ka të drejtën e riprovimit në sesionin e dytë. Çdo nxënës, që ka vlerësimin kalues në të dy provimet e detyruara dhe dëshiron të vazhdojë studimet në institucionet e arsimit të lartë publik, jep edhe provimet me zgjedhje. Nxënësi, i cili është mbetës qoftë edhe në një nga provimet e detyruara të Maturës Shtetërore në sesionin e parë, nuk ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje. Ky nxënës duhet të japë riprovim lëndët e detyruara në sesionin e dytë dhe, në qoftë se i merr ato, ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje vitin e ardhshëm. Kanë të drejtë të kandidojnë për të vazhduar studimet në universitetet publike vetëm nxënësit që vlerësohen kalues në të katër provimet e Maturës Shtetërore (dy provimet e detyruara dhe dy provimet me zgjedhje). Nëse një nxënës ka vlerësim kalues vetëm në njërin nga provimet e detyruara të Maturës Shtetërore, rezultati i tij ruhet (konsiderohet i vlefshëm) edhe në vitet në vazhdim. Kandidatët që duan të vazhdojnë studimet vetëm në Akademinë e Arteve të Bukura, Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve si dhe në programin e studimit të Edukimit Fizik dhe Sporteve në universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, mund të konkurrojnë në këto institucione të arsimit të lartë publik pa qenë të detyruar të japin provimet e lëndëve me zgjedhje. Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, organizon ruajtjen e mjediseve të provimeve dhe të AVA-së.
Regjistrimi
Të gjithë personat që kanë kryer shkollat e mesme para vitit shkollor 2005-2006 kanë marrë dëftesë pjekurie dhe dëshirojnë të vazhdojnë studimet në shkollat e larta do të japin dy provimet me zgjedhje. Regjistrimi për provimet me zgjedhje do të bëhet: në shkollat ku këta persona kanë kryer shkollat e mesme; në KMSH të DAR-it apo ZA-së, ku ka figuruar shkolla e mesme, nëse shkolla e mesme apo profili i shkollës së mesme që kanë kryer është mbyllur. Në këtë rast, këta persona paraqesin në këtë KMSH dokumentet e mëposhtme: vërtetimin që ka mbaruar shkollën e mesme, të shoqëruar me notat e 4 (katër) ose 5 (pesë) viteve të shkollës së mesme, lëshuar nga drejtori i shkollës përkatëse, bazuar në regjistrin themelor (amza); kopje të noterizuar të Dëftesës së Pjekurisë; një kopje të dokumentit të identifikimit të noterizuar (pasaportë ose certifikatë lindjeje me fotografi, lëshuar jo më vonë se tre muajt e fundit, ose letërnjoftim); kërkesën me shkrim për dhënien e provimit me zgjedhje. KMSH i DAR-it apo ZA-së cakton shkollën e mesme ku këta persona do të plotësojnë formularët A1 dhe A2 dhe do të japin provimet me zgjedhje. KMSH i DAR-it apo ZA-së përcakton për këta nxënës, në bazë të dokumenteve të paraqitura, notën mesatare të viteve të shkollimit si dhe notat e provimeve të detyruara D1 e D2 dhe ia përcjell ato zyrtarisht shkollës ku është caktuar. Çdo nxënës që ka mbaruar shkollën e mesme para vitit shkollor 2005-2006, por nuk ka marrë dëftesën e pjekurisë, jep provime të detyruara dhe me zgjedhje. Ai plotëson dhe dorëzon formularin A1 në shkollën ku e cakton KMSH i DAR-it dhe ZA-së përkatëse, pasi ka paraqitur tek ato dokumentet e mëposhtme: vërtetimin që ka mbaruar shkollën e mesme, të shoqëruar me notat e 4 (katër) ose 5 (pesë) viteve të shkollës së mesme, lëshuar nga drejtori i shkollës përkatëse, bazuar në regjistrin themelor (amza). Një kopje të dokumentit të identifikimit të noterizuar (pasaportë ose certifikatë lindjeje me fotografi, lëshuar jo më vonë se tre muajt e fundit, ose letërnjoftim); kërkesën me shkrim për dhënien e provimeve. Të gjithë nxënësit që në vitet shkollore 2005-2006; 2006-2007; 2007-2008 dhanë vetëm provimet e detyruara, por jo provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore, për t’u regjistruar në degët e universiteteve këtë vit duhet të japin provimet me zgjedhje pranë shkollave të mesme ku kanë dhënë provimet e detyruara. Për këtë, ata duhet të bëjnë kërkesë pranë KMSH të DAR/ZA përkatëse, duke paraqitur Dëftesën e Pjekurisë origjinale. Përjashtohen kandidatët që duan të vazhdojnë studimet vetëm në Akademinë e Arteve të Bukura, Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve si dhe në programin e studimit të Edukimit Fizik dhe Sporteve në universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës.
Provimet me zgjedhje
Të gjithë nxënësit që në vitet shkollore 2005-2006; 2006-2007; 2007-2008 dhanë provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore dhe nuk janë regjistruar në asnjë nga degët e universiteteve publike, për t’u regjistruar në këto shkolla këtë vit nuk janë të detyruar të rijapin provimet me zgjedhje, përveç rasteve kur e kërkojnë këtë vetë. Në këto raste, ata i rijapin provimet me zgjedhje pranë shkollave të mesme ku kanë dhënë provimet e detyruara. Për këtë, ata duhet të bëjnë kërkesë pranë KMSH të DAR/ZA përkatëse, duke paraqitur Dëftesën e Pjekurisë origjinale dhe mandat-pagesën e një tarife, masa dhe modalitetet e pagesës së të cilës do të bëhen të njohura nga MASH. Për të gjithë nxënësit që në vitet shkollore 2005-2006; 2006-2007; 2007-2008 dhanë provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore dhe nuk janë regjistruar në asnjë nga degët e universiteteve publike, rezultatet e arritura nga nxënësi në provimet me zgjedhje në një vit shkollor ruhen (konsiderohen të vlefshme) edhe në vitet në vazhdim, edhe në rastin kur nxënësi ka marrë vlerësim kalues vetëm njërin nga provimet me zgjedhje (përveç rasteve kur nxënësi kërkon ta rijapë lëndën). Nëse nxënësi kërkon t’i ruhet rezultati i mëparshëm, në përllogaritjen e pikëve për sistemin meritë-preferencë për këtë lëndë merret koeficienti që lënda ka pasur në vitin që është dhënë. Në rast se nxënësi e ka dhënë më shumë se një herë një lëndë të caktuar në provimet me zgjedhje dhe kërkon t’i njihet rezultati i saj, do t’i njihet rezultati i arritur në vitin e fundit kur e ka dhënë lëndën. Regjistrimi i çdo kandidati për provimin me zgjedhje konsiderohet i plotë në qoftë se krahas plotësimit me saktësi të çdo të dhëne të kërkuar, formularit A2 i bashkëngjitet mandatarkëtimi origjinal që vërteton pagesën e tarifës së Maturës Shtetërore. Formulari A2 pranohet vetëm i shoqëruar me mandat-arkëtimin. Në qoftë se për arsye të ndryshme, kandidati nuk merr pjesë në provimin me zgjedhje për të cilin ka bërë pagesën, kjo e fundit nuk kthehet.
Formulari A1
MASH-i miraton deri më datën 11 shkurt:
Formularët A1 dhe A1z (të dhënat e nxënësit/ kandidatit dhe kërkesat e tij për provimet e lëndëve me zgjedhje).
Udhëzuesit e formularëve A1, A1z. AVA dërgon në KMSH-në e DAR-it dhe ZA-së formularët A1, A1z, udhëzuesit për ta dhe modelin për tabelën T për përmbledhjen e të dhënave nga formularët A1,A1z . KMSH-të e DAR-ve dhe ZA-ve i dërgojnë ato në KSHMSH-të deri më 20 shkurt.
Formulari A2
MASH miraton deri më datë 1 prill:
Formularin A2 (të dhënat e nxënësve që kanë marrë provimet e detyruara, me notën mesatare dhe përzgjedhjen e degëve të shkollave të larta ku dëshiron të studiojë). Udhëzuesin e formularit A2. Kandidatët që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në shkollat e larta duhet të plotësojnë edhe formularin A2 ,brenda datës 30 qershor dhe ta dorëzojnë atë në KSHMSH. Çdo nxënës në vitin e fundit të shkollës së mesme, pavarësisht nëse jep apo jo provimin me zgjedhje, plotëson dhe dorëzon formularin A1 në KSHMSH-në e shkollës ku ai mëson, brenda datës 10 mars. Çdo kandidat plotëson dhe dorëzon formularin A1z në KSHMSH-në e shkollës ku ai caktohet, brenda datës 10 mars.
Maturantët që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë shtetit
Nxënësit shqiptarë, që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë shtetit, kanë të drejtë të vazhdojnë studimet e larta në Republikën e Shqipërisë. Nxënësit që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë shtetit dhe që nuk kanë dhënë provimet ekuivalente me Maturën Shtetërore (provimet me detyrim D1 dhe D2 dhe ato me zgjedhje Z1 dhe Z2), për t’u pranuar në institucionet e arsimit të lartë publik duhet të japin provimet me zgjedhje. Me urdhër të ministrit të Arsimit, pranë MASH-it ngrihet një komision i posaçëm për të shqyrtuar kërkesat e kësaj kategorie. Këta nxënës duhet të paraqesin pranë këtij komisioni këto dokumente: kërkesën me shkrim për të vazhduar shkollën e lartë publike; Dëftesat origjinale me notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme, të përkthyera dhe të noterizuara; pasaportë, certifikatë lindjeje me fotografi ose letër njoftimi. Paraqitja e dokumenteve bëhet nga data 1 deri 15 prill 2009. Komisioni, pasi njeh vlefshmërinë e dëftesës shkollore, përcakton mbi bazën e dokumentacionit të paraqitur nëse provimet e dhëna që figurojnë në këtë dëftesë janë ekuivalente me Maturën Shtetërore. Për nxënësit, për të cilët komisioni vlerëson se dokumentet shkollore të tyre nuk dëshmojnë për dhënien e provimeve ekuivalente me Maturën Shtetërore, ky komision përllogarit notën mesatare të viteve të shkollimit dhe notat e provimeve të detyruara D1 dhe D2. Këto nota komisioni ia përcjell zyrtarisht KMSH-së DAR/ZA-ve, ku nxënësi ka vendbanimin, deri në datën 30 prill 2009. KMSH e DAR/ZA-ve cakton shkollën ku kandidati do të kryejë provimet me zgjedhje dhe ku do të plotësojë formularët A1 dhe A2, duke i përcjellë kësaj shkolle dhe notat që ka përcaktuar komisioni i posaçëm. Formularët A1 të plotësuar nga nxënësit për të cilët bën fjalë ky nen dorëzohen zyrtarisht si edhe në formë elektronike në AVA, së bashku me përmbledhësen e të dhënave të nxënësve, brenda datës 5 maj.
11 Shkurt 2009