E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, ndër vendet e rralla në botë pa plan antikrizë

Flet Ornela Liperi, kryeredaktorja e revistës së përjavshme ekonomike «Monitor»

«Shqipëria është ndër të paktat vende në botë që nuk ka një plan antikrizë», - kështu shprehet për forumin e “Albania”-s Ornela Liperi, kryeredaktorja e magazinës ekonomike «Monitor». Sipas saj, qeveria ka harruar për një moment se vendi ynë është pjesë e një ekonomie të globalizuar. Liperi thotë se pasojat e para të krizës kanë filluar të ndihen tashmë pasi shumë sipërmarrje kanë deklaruar pezullimin e planeve të investimeve. Po ashtu, ekspertja e çështjeve bankare pohon se gjatë vitit 2008 ka një rritje të kredive me probleme, të cilat rezultojnë të jenë dy herë më të larta se ato të dy viteve më parë.

A ndodhet Shqipëria përballë një krize ekonomike? A parashikoni që ekonomia shqiptare të bjerë në recesion?

Është e vështirë të përkufizohet nëse ndodhet Shqipëria në krizë ekonomike, por ajo që është e qartë tashmë është se Shqipëria po ndikohet nga kriza ekonomike globale. Shenjat për këtë prekje sa vijnë e po bëhen më të qarta teksa po publikohen të dhënat për tremujorin e fundit të vitit. Eksportet e tekstileve e këpucëve, që përbëjnë mbi 40% të totalit të eksporteve, kanë shënuar rënie për herë të parë në muajin nëntor; eksportet e mineraleve e morën goditjen që në tetor, si rrjedhojë e uljes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare; eksportet e karburanteve gjithashtu. Tkurrja e kredisë nga ana e bankave, të cilat deri tani kanë qenë një motor i fuqishëm i rritjes ekonomike, do të ndikojë në aktivitetin e biznesit dhe kërkesën konsumatore gjithashtu, teksa shumë biznese, - si ndërtuesit e qendrave tregtare, përpunuesit e mineraleve, prodhuesit e materialeve të ndërtimit, etj., - kanë deklaruar se kanë pezulluar planet për investime, apo i kanë ngrirë ato për vitin 2009. Elementi më shqetësues lidhet me të dhënat paraprake të Bankës së Shqipërisë që flasin për një rënie të ndjeshme të ritmeve të rritjes së shifrës së afarizmit në ekonomi për tremujorin e fundit të vitit (shifrat e INSTAT nuk janë bërë publike ende), një tregues i qartë ky se kërkesa konsumatore po vjen në rënie. Të gjithë këta tregues të mësipërm janë sinjale se është e pashmangshme që ritmet e rritjes ekonomike të ngadalësohen gjatë këtij viti, megjithatë Shqipëria është një vend në zhvillim dhe nuk pritet që ajo të ketë norma negative rritjeje; pra nuk pritet që ajo të bjerë në recesion, por thjesht do të ketë rritjen më të ulët të këtyre viteve të fundit. Megjithatë vlen për t’u përmendur se sistemi bankar, sipas të dhënave të fundit vjetore të publikuara nga Shoqata e Bankave për 2008-n, rezulton i qëndrueshëm, pavarësisht tërheqjes së depozitave në tetor-nëntor të vitit të kaluar. Por, kredia me probleme në fund të vitit të kaluar ka shënuar rritje, duke arritur në 6.6% nga rreth 3% që ishte para fillimit të krizës.

Si i vlerësoni masat e marra nga qeveria?

Qeveria deri tani është deklaruar mjaft e vetëkënaqur nga situata ekonomike në Shqipëri dhe duket sikur ka harruar për një moment se sot jetojmë në një ekonomi të globalizuar. Një eufori e tillë ka bërë që ndoshta të jemi ndër të vetmet vende që nuk kemi një plan të qartë antikrizë, por vetëm deklarata të paqarta për përdorimin e fondit kontigjencë. Edhe elementët që qeveria deklaron se luajnë rol në skenarin antikrizë, si taksat e ulëta dhe shpenzime buxhetore më të larta, është vështirë të maten se çfarë efekti do të kenë realisht; e para për nivelin e dyshimtë të miradministrimit fiskal dhe e dyta për shkak të përqendrimit të mëse një të tretës së shpenzimeve kapitale vetëm për Rrugën Durrës-Kukës.

Cilat do të jenë pasojat e krizës ekonomike mbi biznesin dhe individët në Shqipëri?

Biznesi duket se është ai që po i ndien më shumë pasojat e krizës ekonomike, teksa po përballet me një rënie të kërkesës konsumatore dhe më pak akses në kredi, që mund të çojë në një krizë likuiditeti për ta. Megjithatë, kjo situatë e krijuar do të çojë në një vetëseleksionim të tregut, ku do të mbijetojnë bizneset e miradministruara dhe të mirëpozicionuara në treg dhe në një rënie të më të dobtëve. Konsolidime biznesesh për të mbijetuar në treg mund të priten.
Për individët, rreziku më aktual lidhet me zhvlerësimin e lekut, i cili ka rritur shumat mujore të kësteve për të gjithë ata që kanë marrë hua në valutë si dhe me vështirësitë për marrjen e një kredie për shtëpi apo konsumatore.

Por, në një fazë më të dytë, në rast se efektet e krizës ekonomike globale do të përshkallëzohen në Shqipëri, individët do të ndiejnë më shumë krizën, në rast se bizneset do të gjenden në vështirësi dhe do të fillojnë të shkurtojnë vendet e punës, apo sipërmarrje të tjera do të shkurtojnë bonuset për punonjësit, si dhe do të frenojnë rritjen e përvitshme të pagave.

Forumi në “Albania” – “Kriza financiare, sa të rrezikuar jemi”

Gazeta “Albania” ka hapur forumin me temë “Kriza financiare, sa të rrezikuar jemi”. Organizatorët e debatit ftojnë të marrin pjesë në diskutime ekspertët e çështjeve ekonomike, profesorët e fakulteteve ekonomike në universitetet publike dhe private, analistët, aktivistët nëpër organizata joqeveritare që merren me zhvillimet ekonomike, si dhe politikanë apo zyrtarë të përfshirë në politikat ekonomike të vendit. Temat e shtruara për diskutim janë:
-A ndodhet Shqipëria përballë një krize ekonomike? A parashikoni që ekonomia shqiptare të bjerë në recesion?
-Si i vlerësoni masat e marra nga qeveria?
-Cilat do të jenë pasojat e krizës ekonomike mbi biznesin dhe individët në Shqipëri?
Për çdo koment, ide apo sugjerim, ju mund të na shkruani në adresën e e-mailit: albertgjoka@yahoo.com, ose na telefononi në Nr. Tel. 00355 42229243

11 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›