E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra e Cërrikut, dëshmia rikthen ngjarjen e 97-s



Tiranë - Bujar Buzani riktheu edhe një herë masakrën e Cërrikut para kolegjit penal të Krimeve të Rënda. Edhe pse nën statusin e të penduarit, Buzani është i pandehur bashkë me disa të tjerë për ngjarjen e ndodhur në 1997-n. Në seancën e radhës, përballë kolegjit penal dhe palëve në proces, Buzani, për më shumë se dy orë ka risjellë ngjarjen e rëndë që tronditi në atë kohë Cërrikun. Sipas dëshmisë së tij, jo vetëm ai me vëllezërit, por edhe të fortët e asaj kohe të Cërrikut, janë mashtruar nga Met Bozi. “Ne qëlluam atë ditë mbi policët, sepse Met Bozi na pati premtuar se do të na bënte dokumentet për Amerikë të gjithëve”, - tha dje Buzani. Më tej i pandehuri ka shtuar se mbi blindin qëlloi Arian Toska, ndërsa djemtë e tjerë kishin pozicione nëpër tarracat e pallateve. Sipas dëshmisë së djeshme të Buzanit, të vetmit që nuk i ka parë atë ditë kanë qenë Alban Toska dhe Entel Gashi. Të tjerët, që janë sot pas hekurave, duket se kanë qenë pjesë e atij skenari të organizuar nga Met Bozi. Procesi gjyqësor ndaj bandës së Cërrikut zbardh ngjarjen e rëndë të vitit 1997, ku mbetën të vrarë 6 policë. Procesi në ngarkim të bandës së Cërrikut vijoi dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda me dëshminë e njërit prej të pandehurve për ngjarjen e rëndë në vitin 1997 në qytezën e Cërrikut, ku, si pasojë e një sulmi me armë zjarri, u vranë 6 punonjës të Gardës së Republikës dhe u plagosën disa punonjës të Policisë së Shtetit në përpjekje për vendosjen e rendit dhe të qetësisë publike. I pandehuri Bujar Buzani tregoi ngjarjen e ndodhur disa vite më parë duke implikuar edhe të pandehur të tjerë në ngjarjen e rëndë në Cërrik. Dëshmia e tij është cilësuar si një nga provat e forta të prokurorisë për çështjen në fjalë. Në këtë proces janë marrë me cilësinë e të pandehurit Llazar Bicja, Met Bozi, Arian Toska, Roland Sota (Xhepaxhiu), Alban Toska, Skënder Cani, Tomorr Buzani, Bujar Buzani, Entel Gashi. Këta persona, shumë prej tyre të arrestuar vitin që shkoi nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, akuzohen ndër të tjera për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese në bashkëpunim”.

28 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›