Masakra në Berat, viktimës i gjendet koka pas varrimit
BERAT- Varroset pa kokë trupi i 66-vjeçarit Hasan Maska, nga fshati Drobonik i Beratit. Ceremonia mortore u zhvillua rreth orës 11:00 të paradites, por vetëm 2 orë më vonë policia njoftoi se arriti të gjente kokën e viktimës. Ajo u gjet disa metra larg vendit ku një ditë më parë kalimtarët e rastit zbuluan krimin makabër, buzë rrugës Berat-Drobonik.
Bashkëshortja dhe pesë fëmijët e të ndjerit (i gjashti ndodhet në burg) i dhanë dje lamtumirën e fundit mes lotëve e dhimbjes për mënyrën se si autorët i morën jetën. Familja Maska dhe të afërmit e saj më kot kanë pritur me shpresën se kërkimet e Policisë do të arrinin të gjenin kokën.
Gjithkush në fshat shpresonte së paku të bëhej varrimi i trupit me gjithë kokë. Por, kërkimet e Policisë dhanë rezultat vetëm rreth orës 13:00. Nuk bëhet e ditur nëse ka shenja të armëve të zjarrit apo dëme të shkaktuara nga mjete të forta.
Dyshohet se pasi është qëlluar më parë në kokë, autorët kanë kryer masakrimin e trupit të Hasan Maskës, duke e futur më pas në qese dhe hedhur buzë lumit Osum. Koka është dërguar në morg, ku ekspertët do të zbardhin dhe mënyrën e krimit. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se viktima nuk është masakruar në vendin ku u gjet trupi i copëtuar dhe i futur në qeska plasmani. Kjo pasi në vend nuk ka asnjë gjurmë gjaku.
(Lajmin e plote e lexoni ne Panorama)