Masakra urbane e betonizimit, Policia Bashkiake vazhdon prishjen e ndërtimeve pa leje

Hoxha: Shumica e ndërtimeve pa leje janë denoncuar nga qytetarët, do kthejmë hapësirat në shërbim të komunitetit
Masakra urbane e trashëguar nga ish kryebashkiaku Edi Rama, duket se do kohë të kthehet në gjendje normale. Megjithë vështirësitë, Policia Bashkiake është vënë në krye të aksionit për të liruar hapësirat e zëna nga babëzia e betonit dhe për t’i kthyer ato në shërbim të komunitetit dhe taksapaguesve të kryeqytetit. Kësisoj, në vijim të prishjes së ndërtimeve pa leje, sot Policia Bashkia e Tiranës u zhvendos në zonën e Senatoriumit në Sauk. Në një deklaratë për shtyp drejtori i policisë Bashkiake Florenc Hoxha ka pohuar se në këtë zonë janë verifikuaar 200 ndërtime pa leje, për të cilat do të merren masa deri në shembjen e tyre.
Ndërsa duke komentuar shkarkimin e menjëhershëm nga detyra të 51 inspektorëve, një ditë më parë, kreu i policisë bashkiake ka theksuar edhe një herë se do të largohen nga puna të gjithë ata inspektorë që nuk zbatojnë detyrën.
Ndërkohë policia Bashkiake prej ditësh po zhvillon aksione për prishjen e ndërtimeve pa leje, ndërsa janë bllokuar qindra raste të tjera, ose tentativa për të ndërtuar në mënyrë të paligjshme.
Sipas të dhënave nga Bashkia e Tiranës, aktualisht policia bashkiake ka pezulluar ndërtimin e 107 objekteve pa leje. Shumica e këtyre ndërtimeve pa leje janë denoncuar nga qytetarët në Bashkinë e Tiranës, përmes një numri telefoni që është vënë në dispozicion për këtë çështje.