Sulmet terroriste në Nigeri, reagon MPJ: Lufta kundër terrorizmit s’do njohë kompromis

Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka dënuar aktin e rëndë terrorist të datës 26 gusht 2011 në hyrje të kompleksit të Kombeve të Bashkuara në Abuja të Nigerisë, i cili shkaktoi viktima e të plagosur, si dhe shkatërroi pjesën më të madhe të zyrave të OKB-së.
Në një deklaratë për shtyp MPJ-ja thekson se ngjarja tragjike në Abuja të Nigerisë është tregues i qartë se terrorizmi dhe lufta kundër tij mbeten një sfidë e komunitetit ndërkombëtar dhe e Shqipërisë, si pjesë e koalicionit.
“Me këtë rast, duke shprehur vlerësimin më të thellë ndaj atyre, të cilët sakrifikojnë jetën në shërbim të njerëzve në nevojë, Ministria e Punëve të Jashtme shpreh solidaritetin me ta dhe njëherazi shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjarët e viktimave dhe të lënduarve”- thuhet në reagimin zyrtar të Ministrisë së Jashtme.
Më tej, MPJ-ja thekson se Shqipëria do të vazhdojë të jetë pjesë aktive e organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe promovimit të vlerave mbi të cilat organizata është themeluar, në shërbim të paqes, sigurisë, e zhvillimit kudo në botë.