E Diel, 1 Nëntor 2026

Mat, konflikti për pronën, vriten 3 anëtarë të një familjeje

Nga burime të grupit hetimor mësohet se është vrarë Shaqir Barçi, 55 vjeç, bashkëshortja e tij, Hamide Barçi, 50 vjeç dhe djali i tyre, Ylber Barçi, 24 vjeç. Po të njëjtat burime sqarojnë se janë plagosur rëndë edhe dy djemtë e tjerë të familjes.

Pas një pune intensive policia arriti të ndalojë gjatë natës autorët e krimit, vëllezërit Dashamir Barçi 35 vjeç, Valter Barçi 27 vjeç dhe Durim Barçi 22 vjeç, të cilët tentuan të arratisen në mal pas kryerjes së krimit. Gjatë arrestimit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një automatik dhe një armë gjahu.

Bëhet e ditur se shkaku i vrasjeve ka qenë një konflikt i vjetër pronësie. Sipas policisë lokale, në orët e mbrëmjes pjesëtarët e dy familjeve (kushërinj të parë) kanë nisur të grinden mes tyre.

Fillimisht palët kanë debatuar ashpër dhe më pas kanë shkëmbyer sharje të ndërsjella. Në konflikt e sipër, pjesëtarët e familjes së Hajredin Barçit kanë qëlluar me breshëri automatiku mbi anëtarët e familjes së Shaqir Barçit.

Ndërkohë, hetimet e policisë po vazhdojnë për të bërë zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje.
/Start/E.B/

                                                                                             2011-08-15 09:49
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›