E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndjek dhe vret të shoqen në mes të fshatit, motiv xhelozia

Myrteli ka sulmuar bashkëshorten në një rrugicë të fshatit dhe duke e vrarë, pasi e ka qëlluar me mjete të forta pas koke. Dy bashkëshortët, që kanë rritur bashkë katër fëmijë, prej kohësh ishin në konflikt me motive xhelozie

Berat-Bashkim Myrteli 61 vjeç ka masakruar me mjete të forta gruan e tij, 56-vjeçaren Resmie Myrteli, pas një sherri për motive ende të pazbardhura, por që sipas policisë ka të bëjë me xhelozinë. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Moravë të Beratit paraditen e djeshme. Dy bashkëshortët, që kanë rritur bashkë katër fëmijë, duket se prej kohësh ishin në konflikt që ka arritur kulmin paraditen e së shtunës, kur pas grindjes burri ka sulmuar bashkëshorten Resmie Myrteli dhe duke e qëlluar me mjete të forta në kokë, gjë që i ka sjellë asaj vdekjen.

Ngjarja

Dëshmitarë okularë kanë rrëfyer për policinë se krimi ka ndodhur në një nga rrugët e fshatit. Dy bashkëshortët më herët ishin grindur me njëri-tjetrin në ambientet e shtëpisë. Një konflikt me fjalë për të cilin nuk dihet se sa kohë ka zgjatur. Ajo që kanë parë fqinjët është gruaja që ka dalë nga shtëpia dhe mendohet se kishte vendosur të largohej prej saj. Pikërisht në këtë kohë i shoqi është vënë në ndjekje të saj dhe e ka arritur në një nga rrugicat e fshatit. Duket se askush nuk ka mundur të ndërhyjë për t’i shpëtuar jetën gruas. Policia ende nuk ka bërë të ditur mjetin me të cilin është kryer krimi, por ajo njofton se nga këqyrja e viktimës ajo ishte goditur me një mjet të fortë, ndoshta levë, pas kokës, çka i ka sjellë vdekjen e menjëhershme.

Hetimi

Menjëherë pasi ka marrë njoftimin, policia e Beratit ka shkuar në vendin e ngjarjes ku ka bërë arrestimin e të dyshuarit, ndërsa ka kryer edhe ekspertizën në vendin e ngjarjes dhe shoqëruar viktimën për në morgun e qytetit. Dëshmitë nga fqinjët, por edhe ato që ka pohuar në polici i arrestuari, kanë bërë policinë të dyshojë se sherret në familjen Myrteli vijonin prej kohësh. Policia thotë se dyshon se motivi kryesorë i grindjeve që sollën vrasjen ishte xhelozia e bashkëshortit ndaj gruas edhe pse çifti kishte rritur katër fëmijë dhe të dy burrë e grua ishin në moshë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›