E Hënë, 2 Nëntor 2026

Masat ndaj pickimit të insekteve, mjekët në Belsh këshillojnë fermerët për spërkatje të ambienteve

Në Qendrën Shëndetësore të qytetit të Belshit kanë nisur të trajtohen rastet e para nga pickimi i insekteve të ndryshme, ndonëse është ende herët për sezonin e korrjes së grurit apo të vjeljes së pemëve frutore.

Mjeku Agim Hasko shprehet se pickimi i insekteve vjen nga pakujdesia e fermerëve dhe gjendja e tyre agravohet kur e anashkalojnë ndihmën e parë.

“Në këtë sezon, rastet më të shpeshta janë të sëmurët kronikë, sidomos prej alergjive të stinës. Ka edhe raste të pickimeve nga insektet apo brejtësit. Komplikacione nuk paraqiten për momentin. Ato menaxhohen nga kolegët tanë,” thotë Dr. Hasko.

Në vitin 2024, në qendrën shëndetësore të Belshit gjatë sezonit veror u shënuan disa raste të pickimit nga gjarpri, me disa pacientë të transportuar me urgjencë drejt Elbasanit.

Mjeku thotë se fermerët duhet të shtojnë kujdesin, duke spërkatur zonën me ilaçe specifike të cilat do të largonin insektet apo gjarpërinjtë.

“Këshillat tona janë që gjithkush, kur shkon te punët e stinës, të jetë i vëmendshëm aq sa ia lejon mundësia dhe hapësira, për të krijuar mbrojtjen ndaj insekteve apo dëmtuesve, por edhe të mbajë kontakte paraprake me infermierët e lagjeve, me mjekët e familjes apo të urgjencës,” këshillon mjeku.

Specialistët e shëndetësisë këshillojnë se duhet të tregohet një kujdes i veçantë në informimin e fermerëve edhe nga ana e farmacive bujqësore, ndërsa në anën tjetër Qendra Shëndetësore Belsh është përgatitur me staf të kualifikuar për të dhënë ndihmën e parë në këto raste urgjente.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›