E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mashtrimet e Pacollit në lobimin

I ngarkuari i Qeverisë me mision lobimi për shtim të njohjeve të shtetit të Kosovës, Behgjet Pacolli, nuk po e ka të lehtë që ti qartësojë emrat dhe pozicionet e personaliteteve, me të cilët po takohet jashtë kufijve të shtetit. Kur e ka nisur rrugëtimin drejtë shteteve afrikane më 19 maj, ai ka ndaluar në Vjenë dhe aty është takuar me sudanezin Abdalla Sharief.

Kabinetit të ministrave në Kosovë ua ka prezantuar atë si përfaqësues të Sudanit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. E në fakt Sharief nuk është asgjë tjetër, veçse një gazetar që e mban funksionin e nënkryetarit të Shoqatës së korrespondentëve të OKB-së, bën të ditur sot Koha Ditore. Si i tillë, ai nuk figuron askund në listën e diplomatëve të Sudanit që veprojnë në kryeqytetin austriak.

Ngatërrimin tjetër që tash lidhet me emra, Pacolli e ka bërë gjatë vizitës në Marok. Vetëm një ditë më herët, ai ka njoftuar se gjatë qëndrimit në këtë shtet, pos që është takuar me të emëruarin e mbretit të këtij vendi për Politikë të Jashtme në Qeveri, Muhamed Azerwal, është pritur edhe nga Kryesia e Parlamentit të Marokut në krye me nënkryetarin e Parlamentit, Dr. Sadudin El Uthmani.

Por, ky i fundit, nuk figuron askund në listën e deputetëve të parlamentit marokenë. Është një tjetër që e mban emrin Saad Dine El Otmani, e që është në listën e nënkryetarëve të Parlamentit të këtij shteti.

Një huq në prezantim të personaliteteve të jashtme e ka bërë edhe gjatë qëndrimit në Nigeri. Ka thënë se është takuar me Martin J. Uhomoibhi, duke e bërë atë ministër të Jashtëm, për sa kohë që ai është vetëm sekretar i përhershëm në atë ministri.

Ngatërrimin që ia ka bërë Uhomoibhit, e ka nxjerrë në pah para pak ditësh Gazeta Express. Njëri nga shoqëruesit e Pacollit në udhëtimin afrikan, e ka pranuar se Ukomibhi nuk është ministër i Jashtëm i Nigerisë, por ka thënë se shumë shpejt do të bëhet. Bile ka thënë se ai, edhe aktualisht është duke e kryer një funksion të tillë. Presidenti i Nigerisë është duke e përzgjedhur kabinetin e ri të ministrave dhe Ukomibhi pritet të emërohet ministër i Jashtëm, edhe pse në mungesë të ministrit, ai edhe tani është duke e kryer të njëjtën punë. Por e vërteta është se ai ende nuk është nominuar zyrtarisht, ka thënë për KD-në një shoqërues i Pacollit.

Sidoqoftë, në ueb faqet e Ministrisë së Jashtme të Nigerisë aktualisht si ministër i Jashtëm figuron Odein Ajumogobia.

Ai del të jetë emëruar në këtë pozitë më 6 prill të vitit të kaluar, kur presidenti i Nigerisë Godluck Jonathan, ka përzgjedhur kabinetin e tij të ri.

Anëtarë të kabinetit të zv.kryeministrit Pacolli e kanë pranuar për Kohën Ditore se Abdalla Sharief është gazetar dhe se Saad Dine El Otmani, është personi të cilit i janë referuar me emrin Sadudin El Uthmani.

Është shumë e vërtetë se Sharief është gazetar, mirëpo, ai është duke kontribuar shumë në aspektin e afirmimit të Kosovës në shtetet arabike, me qëllim që edhe ato që nuk e kanë njohur vendin tonë, ta bëjnë këtë në një të ardhme sa më të afërt, ka thënë një nga këshilltarët e Pacollit. Edhe sa i përket emrit të  nënkryetarit të Parlamentit maroken, është e vërtetë se në origjinal është ashtu siç po thoni ju, mirëpo në shqiptim është ashtu siç e kemi shkruar ne. Sido që të jetë ne kërkojmë ndjesë nga lexuesit e juaj, për një lëshim të tillë, ka thënë i njëjti.

Numri i dy i Qeverisë, që për më tepër se një muaj ka qenë edhe president shteti, brenda një kohe të shkurtër ka vizituar shumë shtete afrikane me synim që të shtoj numrin e njohjeve. Ai e ka pranuar në një intervistë për RTK-në, se jo në të gjitha shtetet është pritur si zv.kryeministër, për shkak se ato vazhdojnë të mos e njohin realitetin që është krijuar në këtë vend, pas 17 shkurtit 2008. Pacolli, ka thënë se shteteve të tilla u është qasur me instrumente të tjera duke e shfrytëzuar edhe miqësinë  e madhe të njerëzve që ka nëpër botë.

Puna e Pacollit është lavdëruar para pak ditësh nga ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj. Por jo edhe nga ish-shefi i diplomacisë së Kosovës, Skënder Hyseni.

Ky i fundit ka thënë për të, se nuk di të lobojë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›